Sport

Rooney rikthehet në “Old Trafford”, Mourinho e quan legjendë të Unitedit

Sipas trajnerit të “Djajve të Kuq”, Jose Mourinho, sulmuesi veteran, Wayne Rooney meriton një mirëseardhje prej legjende te Manchester United, kur ai të rikthehet në “Old Trafford”, kësaj here me fanellën e Everton, për ndeshjen e të dielës.

Golashënuesi rekordmen i të gjitha kohërave te United, do të ndeshet me ish-klubin e tij për të parën herë që kur është rikthyer te Everton gjatë këtij afati kalimtar të verës, dhe Mourinho nuk ka asnjë dyshim për mënyrën se si tifozët e Manchester United duhet të tregojnë vlerësimin dhe mirënjohjen e tyre ndaj Rooney.

Ai është një legjendë e vërtetë. Numri i golave, trofetë. Ai është qartësisht një prej futbollistëve më të rëndësishëm në historinë e Manchester United dhe mendoj se stadiumi do të tregojë respektin që ai meriton. Shpresoj që ta bëjnë para ndeshjes dhe pas saj, jo gjatë lojës”, deklaroi Mourinho.

Ai u pyet nëse futbollistët e United kanë përfituar nga mungesa e Rooney, u shpreh: “As që kam ndër mend ta them atë. Ai është një futbollist i Everton dhe unë nuk do të flas më për Wayne më shumë se kam folur deri tani. Ai është një legjendë e këtij klubi, meriton të mirëpritet në atë mënyrë, por gjatë ndeshjes ai është një futbollist i Everton, që dëshiron të fitojë ndeshjen”.