Aktuale

Rrahmani: Kosova asnjëherë nuk ka plotësuar listën esenciale të barnave

Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani në një interpelancë me senatorët e rinj të Kosovës, lidhur me gjendjen shëndetësore në vend, ka deklaruar se fatkeqësisht Kosova asnjë herë nuk ka plotësuar listën esenciale të barnave.

Megjithatë sipas Rrahmanit ka shpresë se me fillimin e sigurimeve shëndetësorë do të zgjidhet ky problem.

Ai duke komentuar ikjen e mantel bardhëve në vendet e BE-së tha se ikja e të rinjve është trend botëror dhe i vështirë për ta ndaluar ngase ata kërkojnë jetë më të mirë.

Temë diskutimi në këtë interpelancë me të rinjtë, ishin edhe problemet e hasura për studentët që studiojnë mjekësinë, fushatat të cilat mund të participojnë të rinjtë për të ngritur nivelin e shërbimeve shëndetësore dhe tema tjera për sektorin publik shëndetësor në Kosovë.

Ministri Rrahmani tha se sektori i shëndetësisë është sektori më problematik, por që sipas tij, janë të përkushtuar mjaft për përmirësimin e këtij sektori.  Ai tha se rinia sot zen vend të veçantë në sektorin e shëndetësisë për një popullatë më të shëndoshë.

 

“Natyrisht se Kosova ka një popullatë të re, por fatkeqësia është që ende sistemi jonë shëndetësor do përmirësim, reformim, don që të ofrojmë shërbime më shumë dhe të kemi më pak të sëmurë…Fatkeqësisht Kosova nuk ka arrit asnjëherë deri më tash që listën esenciale ta përmbushë 100 përqind. Zgjidhja e problemit është shtimi i buxhetit, dhe rishikimi listës esenciale. Shtimi i buxhetit është mëse i domosdoshëm, sepse me 10 euro përafërsisht për kokë banori për barna dhe materiali shëndetësor nuk është e mundshme me i mbuluar të gjitha nevojat për popullatën tonë”, theksoi ministri Rrahmani.

Ministri i Shëndetësisë në seancën e mbajtur në Kuvend të kryesuar nga Valon Zhdrella,  shtoi se sot Kosova ka numrin më të vogël të mjekëve në Evropë për banorë, dhe ka numër të madh të mjekëve të papunësuar, për të cilën ai tha se është tentuar të bëhet një zgjidhje.

 

“Është brengosëse se si do të veprojmë ne me 712 specializantë pa e llogaritur këtë konkursin e fundit. A do të kemi ne hapësirë për me i sistemuar gjithë ata mjekë në sistemin tonë shëndetësor? Kur dihet që edhe specializimet janë ndarë jo duke u bazuar shumë me nevojat e institucioneve tona shëndetësore, por duke respektuar fillimisht të drejtën dhe vullnetin e individëve që u profilizua në drejtim të caktuar”, tha ministri Rrahmani.

Ai ka njoftuar senatorët për investimet që janë duke u bërë në sistemin e shëndetësisë, por ky sektor sipas tij, donë edhe reformim.

Rrahmani duke iu përgjigjur pyetjes së senatorit Leurent Mekaj, për furnizimin e repartit të Onkologjisë me citostatikë, tha se muaj tetor ishte muaj i ndërgjegjes për trajtimin e kancerit të gjirit.

I pari që drejton sektorin e  shëndetësisë në Kosovë,  tha se furnizimi me citostatikë ka qenë brengë, por sipas tij, në këto dy vitet e fundit ka pasur përmirësim për furnizim, ku sipas ministrit nevojat me citostatikë janë plotësuar 90 përqind dhe deri në vitin e ardhshëm kjo do të sigurohet 100 përqind.

Kryetari i Rinisë Evropiane në Kosovë (KREK),  Avdullah Hasani tha se interpelancat e këtij lloji kanë rëndësi të madhe për rininë e shkolluar në sektorin e shëndetësisë.

Kjo interpelancë, sipas tij, duhet të shërbej për të ardhmen e të rinjve, duke ngritur edhe cilësinë dhe konkurrencën me nivelet apo sistemet shëndetësore më të zhvilluar në vendet e BE dhe më gjerë.

 

“Po shpresoij dhe besoj që së bashku me juve  pas kësaj seance edhe me ministrin, t’i drejtohemi opinionit në një formë tjetër, përmes kampanjave të vetëdijesimit që ne si KREK, kuvendi dhe Qeveria me ofruar bashkëpunim për t’i zhvilluar kampanja të ndryshme me qëllim të vetëdijesimit për sektorin shëndetësor në vend, për të drejtat e pacientëve, për të drejtat e studentëve pas diplomimit”, tha Hasani.

Senatori Granit Villa, theksoi se KREK e drejtuar nga Avdullah Hasani është aktiv në shumë sektorë tjerë, por jo edhe në sektorin e shëndetësisë për përkrahjen e të rinjve të diplomuar.

Senatorët ishin të interesuar edhe për funksionimin e Odave Profesioniste Shëndetësore./KP