Aktuale

Rreth 14.7 milionë euro shpenzime për udhëtime zyrtare

Rreth 14.7 milionë euro janë shpenzimet e institucioneve të Kosovës vetëm për udhëtime zyrtare brenda dhe jashtë vendit në vitin 2018.

Në vitin e kaluar, shpenzimet për mëditje ishin për 27 përqind apo 3.1 milionë euro më shumë se sa në vitin 2017.

Nga 11 ministri që kanë raportuar, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Integrimeve Evropiane dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë shpenzuar më së shumti për mëditje.

Përveç shpenzimeve të mëdha, shpeshherë ka pasur edhe keqpërdorime të mjeteve nga kjo kategori veçanërisht nga zyrtarë të ministrive.

Kështu u tha sot gjatë publikimit të një hulumtimi nga Instituti GAP me temë “Lufta për mëditje: praktikat e institucioneve publike rreth udhëtimeve zyrtare”.

Në tryezën që u mbajt në kuadër të Javës Kundër Korrupsion 2019, Nora Latifi Jashari nga Instituti GAP tha se mëditjet përbëjnë një shumë mjaft të madhe të parasë publike, teksa shtoi se roli i mëditjeve si instrument është që t’u mundësohet punonjësve të sektorit publik pjesëmarrja në seminare, punëtori, trajnime dhe takime të rëndësishme shtetërore.

Ajo ka inkurajuat zyrtarët që t’i paraqesin këto keqpërdorime për ta luftuar korrupsionin.

Një fjalë rasti ka mbajtur edhe zyrtari amerikan Shawn Waddoups i cili ka kërkuar që shpenzimet për mëditje të jenë sa më transparente e efikase dhe të mos keqpërdoren.

the authorGazetaKNN