Rajon & Botë

Rreth 250 të burgosur arratisen nga burgu në Indonezi

Autoritetet indoneziane janë vënë në ndjekje të më shumë se 250 të burgosurve që arritën të ikin nga një burg në provincën e Papuas Perëndimore.

Ikja nga burgu ndodhi kur shumë protestues dolën rrugëve në disa qytete, me ç’rast i bllokuan rrugët dhe ua vunë flakën disa ndërtesave, përfshirë ndërtesën e burgut.

Kryengritja e tyre u nxit nga arrestimi i disa studentëve në Surabaya në lidhje me akuzat për fyerje ndaj flamurit indonezian.

Policia ka dërguar përforcime në këtë rajon për shkak të paralajmërimit të protestave të reja.

Burgu në qytetin Sorong u përfshi nga flakët dhe të burgosurit u furnizuan me gurë nga jashtë. Kështu tha zëdhënësja e ministrisë së drejtësisë, Marlien Lande.

“258 të burgosur kanë ikur dhe vetëm pesë prej tyre janë kthyer këtë mëngjes”, tha ajo, duke shtuar se disa roje dhe punëtorë të tjerë janë lënduar pasi u përpoqën t’i ndalonin të burgosurit.

Papua dikur ishte koloni e Holandës. Rajoni e kishte shpallur pavarësinë në vitin 1961, por më vonë u mor nën kontroll nga Indonezia, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.