Rreth 7,1 milionë pjesëmarrës në referendumin kundër Maduros

Më shumë se 7,18 milionë venezuelianë morën pjesë dje në referendumin simbolik të organizuar nga opozita kundër presidentit, Nicolas Maduro dhe projektit për Asamblenë kushtetuese, njoftuan rektorët e universiteteve, garante për organizimin, pas numërimit të 95 për qind të votave.

“Venezuela ka dërguar një mesazh të qartë për ekzekutivin kombëtar dhe botën”, deklaroi rektorja e Universitetit Qendror të Venezuelës, Cecilia Garcia Arocha duke shtuar se 6 492 381 persona kanë votuar në vend dhe 693 789 jashtë vendit.

Opozita kishte marrë iniciativën për zhvillimin e këtij referendumi simbolik dy javë më parë, me objektivin për të theksuar shumicën refuzuese të projektit për Asamblesë kushtetuese kërkuar nga presidenti Maduro, zgjedhja e të cilit është parashikuar më 30 korrik.

Koalicioni i opozitës “Tryeza e Bashkuar Demokratike” (MUD) kishte formuluar tre pyetje për zgjedhjet, të cilave iu përgjigjën pozitivisht 93,8 për qind e votuesve.