Aktuale

Rreth 8000 ushtarë pritet t’i ketë ushtria e Kosovës

Procesi i formimit të ushtrisë së Kosovës nuk ka kthim mbrapa, pasi është projektuar në koordinim me miqtë ndërkombëtarë dhe pavarësisht kundërshtimeve aktuale të NATO-s, kjo përsëri do të mbetet mbështetëse e ushtrisë. Kështu ka theksuar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK),
Kadri Kastrati, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me NATO-n do të forcohen edhe më tej pas 14 dhjetorit 2018, kur do të votohet në Kuvend për transformimin e FSK-së në ushtri.
Kastrati, po ashtu, ka thënë se ushtrisë së Kosovës i duhen 8000 ushtarë, 5000 pjesëtarë aktivë si dhe 3000 tjerë rezervë.

Zëri: Nëse ushtrinë e Kosovës e krahasojmë me atë të vendeve tjera në rajon a do të jetë e madhësisë së njëjtë apo do të jetë më e vogël?

Kastrati: Është paraparë që ushtria e Kosovës duhet t’i ketë 5000 pjesëtarë aktivë dhe 3000 rezervë, pra gjithsej 8000 trupa që mjaftojnë për t’i përmbushur të gjitha detyrat në misionin të cilin do ta ketë dhe mendoj se FSK-ja sot mund të krahasohet me të gjitha shtetet e rajonit, sepse këta djem e vajza na kanë bërë të ndihemi mirë e krenarë në të kaluarën në çdo trajnim, shkollim ose stërvitje që kanë bërë me forcat e rajonit ose të shteteve të NATO-s dhe mendoj që kjo forcë do të jetë në nivel jo të barabartë, por mbi nivelin e rajonit sa i përket trajnimit dhe shkollimit të tyre për ta përmbushur misionin.

Ajo po ashtu do të jetë e shkathët dhe e barabartë që edhe në misione në kuadër të shteteve të NATO-s në ndonjë krizë eventuale të jetë e gatshme që të jemi krah për krah me ushtarët dhe me oficerët e shteteve të cilat janë më përpara se ne.

Zëri: Ka pasur debat në Kosovë edhe për emrin e Forcës dhe të Sigurisë së Kosovës, pra nuk do të quhet ushtri. A paraqet kjo gjë problem sipas jush dhe a mundet që në të ardhmen kjo forcë të ndërrojë edhe emrin?

Kastrati: Emri do të mbetet Forca e Sigurisë së Kosovës. Unë kam thënë vazhdimisht se emri nuk e bën ushtrinë, por e bëjnë misioni, detyrat, armatimi, pajisjet të cilat dalin nga ky mision. Në rishikimin strategjik të sektorit të sigurisë është marrë vendim që kjo ushtri të quhet Forcë e Armatosur e Kosovës, prej të gjitha shteteve të NATO-s vetëm 3 ose 4 shtete e quajnë ushtri ushtrinë e tyre, dikush e quan forcë mbrojtëse dhe emri dallon prej shtetit në shtet, por misioni është me rëndësi. Pasi nuk ndodhën ndryshimet kushtetuese dhe Kushtetuta nuk mund të shkelet, ne me këto tri projektligje do ta ndryshojmë vetëm misionin, kurse Ministrisë së FSK-së do t’i ndryshohet emri në Ministri të Mbrojtjes si e kanë të gjitha shtetet e botës dhe unë nuk shoh ndonjë problem këtu.

the authorBurbuqe Metolli