Aktuale

Rritet numri i aksidenteve me fatalitet

Brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti si pasojë e aksidenteve me fatalitet kanë humbur jetën 54 persona, derisa në gjatë mujorin e parë të vitit 2016, ishin 50 persona që humbën jetën në komunikacion.

Sipas statistikave zyrtare numri total i aksidenteve ka shënuar rënie krahasuar me vitin e kaluar.

Zyrtari për informim në Policinë e Kosovës, Daut Hoxha për KosovaPress ka thënë se në periudhën janar-qershor 2017, janë shënuar gjithsej 8.073 aksidente dhe krahasuar me vitin e kaluar ka rënie për 212 raste.

“Në periudhën janar-qershor 2016 kemi pasur 50 persona të vdekur, ndërsa, në këtë periudhë të 2017, pra, janar-qershor kemi 54 persona. Sa i përket numrit total të aksidenteve në periudhën e vitit të kaluar kemi pasur 8285 aksidente në total ku përfshihen aksidentet, lëndimet, aksidentet me dëme materiale dhe aksidentet me fatalitet gjithashtu, ndërsa në periudhën e këtij viti kemi 8073 aksidente që i bie 212 aksidente më pak në trafikun rrugor, bëhet fjalë për të gjitha llojet e aksidenteve”, tha ai.

Lidhur me numri e madh të aksidenteve që po ndodhin në vend eksperti i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi ka thënë për KosovaPress se kontribuuesit kryesor që po ndikojnë në numrin e madh të aksidenteve është ngritja e temperaturave në sezonin e verës, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe dispozitave ligjore.

“Kontribuues të aksidenteve në trafik, veçmas në këto ditë të verës mund të jenë edhe temperaturat e larta të cilat ndikojnë direkt në shpërqendrimin e ngasësve të automjeteve por edhe shpërqendrimin e vetë pjesëmarrësve të tjerëve në trafik në cilësi të këmbësorëve, pastaj mund të jenë kontribuues të tjerë që kemi përdorimin e telefonit mobil gjatë ngasjes, pastaj mos mbajtjen e distancës dhe sigurisë në mes të automjeteve, sidomos gjatë lëvizjes në kolonë. Kemi edhe faktorët tjerë në mos respektimin e shenjave dhe dispozitave ligjore në rrugë, do me thanë tejkalimi i shpejtësisë, kyçje dhe shkyçjet jo të sigurta në rrugë. Kjo vlen veçmas për autostradë ku kemi zhvillimi e shpejtësisë së lartë dhe një mori të faktorëve të tjerë të cilët ndikojnë në uljen e vigjilencës por edhe të sigurisë në rrugë“, ka shtuar ai.

Sipas ekspertit të çështjeve rrugore në sezonin e verës përveç temperaturave të larta, trafikun po e rëndojnë edhe më shumë numri i madh i automjeteve të bashkatdhetarëve, si dhe kolonat që po shkaktohen nga dasmat dhe ahengjet e ndryshme.

Muhamed Krasniqi tha se si masë parandaluese për siguri më të madhe në trafik e sheh shtimin e masave policore në rrugë gjatë muajve korrik dhe gusht, sidomos gjatë orëve të mbrëmjes.

“Prania e policisë do të duhej të ishte sidomos në orët e mbrëmjeve gjatë vikendit, në vendet ku organizohen këto manifestime dasmore apo ku ka organizime të ndryshme të mbrëmjeve argëtuese etj. Për shkak se ditët e nxehta të verës pastaj frekuentimi nga ana e të rinjve mund të përdorin alkool dhe si të tillë mund të shkaktojnë edhe aksidente në trafik, pjesa e kohës kur kemi flukset më të mëdha, kur kemi prezencën më të madhe të automjeteve do të ishte mirë që të jenë prezent policia e trafikut”, tha ai.

Ndryshe, Krasniqi ka rekomanduar të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë sinjalizimin rrugor dhe të mos neglizhojnë asnjë rrethanë në rrugë sepse mos respektimi rrezikon sigurinë në trafik si për automjete, ashtu edhe për këmbësorë.

Sipas Policisë së Kosovës numri më i madh i aksidenteve është shënuar në komunën e Prishtinës për shkak të zhvillimit të madh të aktiviteteve dhe koncentrimit të madh të institucioneve.

Policia iu ka apeluar të gjithë drejtuesit e automjeteve e sidomos të atyre bujqësore që gjatë natës të kenë sinjalizimin e nevojshëm me drita, pasi që një numër i madh i aksidenteve rrugore po shkaktohen si pasojë e qarkullimit të automjeteve në mënyrë të pasigurt.

Nga viti 2015 deri në korrikun e vitit 2017 në aksidentet rrugore në Kosovë kanë humbur jetën gjithsej 293 persona, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë shënuar gjithsej 8,109,313 aksidente në Kosovë./

the authorE B