Rryma shtrenjtohet 25 për qind, rritje edhe të çmimit të pemëve dhe lëndëve djegëse

Çmimet e konsumit në qershor duket se po i ndjekin temperaturat e larta të verës.
Në qershorin e sivjetmë, energjia elektrike u shtrenjtua mbi 25 për qind në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.

Ngritje të çmimit shënuan edhe gazi dhe lëndët djegëse.

Sipas indeksit të çmimeve të konsumit në muajin qershor të Agjencisë së Statistikave janë regjistruar çmime më të larta sesa në muajin paraprak.

Pemët, rryma dhe lëndët djegëse janë kontribuuesit e rritjes së çmimeve.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.3% në muajin qershor 2017, krahasuar me muajin maj 2017. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: pemë (5.6%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (17.9%)-(ngritje e çmimit të energjisë elektrike) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.9% në IHÇK-it”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ulje të çmimeve kishte te disa produkte ushqimore, shkruan telegrafi.