Aktuale

Rucker: Kosova duhet t’i përmbush kushtet për liberalizimin e vizave

Ish-kryeadministratori i UNMIK-ut në Kosovë, Joachim Rucker, ka thënë se Kosova është duke ecur në rrugë të duhur drejt Bashkimit Evropian.

Rucker në një intervistë për KosovaPress ka thënë se shteti i Kosovës ka pasur përmirësime në infrastrukturë ndërsa pret që të ketë përmirësime edhe në sektorin e energjisë. I pyetur lidhur me vendimin e institucioneve të Kosovës për ndryshimin e misionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, që e çon atë drejt krijimit të ushtrisë, Rucker pa komentuar shumë për këtë temë tha se Kosova momentalisht është në një proces të dialogut që mbikëqyret nga faktori ndërkombëtar , cili e “këshillon Kosovën lidhur me këtë çështje”.

“Nuk jam ekspert sa i përket kësaj pyetje sepse unë nuk jam më i angazhuar në politikën e brendshme të Kosovës, por ju jeni në një dialog të mbikëqyrur nga komuniteti ndërkombëtar, i cili iu këshillon lidhur me këtë çështje”, tha ish-adminstratori gjerman. Duke folur në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, Rucker përmendi kushtet që kosovarët duhet të përmbushin për të lëvizur lirshëm nëpër shtetet e BE-së.

Me këtë rast ish-administratori i UNMIK-ut tha se Kosova duhet t’i përmbush kushtet që i janë caktuar për liberalizim të vizave. “E di që duhet të plotësohen disa kushte dhe disa kërkesa për liberalizimin e vizave dhe do ta këshilloja Kosovën që ta bëjë këtë gjë dhe të plotësoj kërkesat dhe jam i sigurt që në këtë mënyrë gjërat mund të ndodhin”, tha Rucker.

Diplomati nga Gjermania ka qenë në krye të UNMIK-ut në Kosovë prej vitit 2006 deri në vitin 2008.

the authorE B