Rajon & Botë

Rusia do të përballet me sanksione shtesë nga SHBA-ja për shkak të armëve kimike

Në një deklaratë të Departamentit të Shtetit, thuhet se Rusia do të përballet me sanksione të reja amerikane për shkak se ka dështuar të dëshmojë se i ka dhënë fund programit të armëve kimike, pas rastit të helmimit të agjentit rus, Sergei Skripal, me helm kimik në mars të këtij viti në Britani të Madhe.

Mbetet ende e paqartë se cilat lloje të sanksioneve do të zbatohen nga SHBA-ja, por zyrtarët amerikanë kanë tërhequr vërejtjen se ato do të jenë mjaft të prekshme, me ç’rast do të prekeshin marrëdhëniet diplomatike, tregtia ose marrëdhëniet bankare.

SHBA-ja filloi zbatimin e sanksioneve preliminare lidhur me sigurinë teknologjike kundër Rusisë në gushtin e kaluar, duke dhënë shenjë se pajtohet me vlerësimin britanik se inteligjenca ushtarake ruse qëndron prapa përdorimit të helmit kimik në Salisbury kundër agjentit Sergei Skripal, i cili dikur ishte spiun rus. Në këtë sulm kishte pësuar gjithashtu edhe vajza e tij.

Sipas Aktit për Kontrollim dhe Eliminim të Armëve Kimike dhe Biologjike, Kremlini kishte 90 ditë kohë që të ndërmerrte masa përmirësimi dhe të deklarohej zyrtarisht se ka hequr dorë nga përdorimi i armëve kimike dhe biologjike si dhe të pranojë inspektimin e situatës në terren nga inspektorët ndërkombëtarë.

Të martën, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert, deklaroi se nuk mund ta vërtetojnë nëse Federata Ruse i ka plotësuar këto kërkesa apo jo.

Ajo nuk saktësoi llojin e sanksioneve që do të shqyrtohen për t’u zbatuar, por mbështetur në legjislacionin amerikan, presidenti obligohet që t’i përfshijë tri lloje sanksionesh në mesin e një liste prej gjashtë të tillash, ku përfshihen kufizimet në mbështetje zhvillimore, huatë e bankave, eksportet dhe importet, përjashtuar ushqimet, dobësimi i marrëdhënieve diplomatike dhe tërheqja e lejes për aterrim të kompanisë ajrore kombëtare, “Aeroflot”.

Masat e reja do të jenë vazhdimësi e sanksioneve që tashmë janë në fuqi kundër Rusisë, përfshirë sanksionet e vitit 2014 për shkak të intervenimit ushtarak rus në Ukrainë dhe sanksionet e vitit 2012 që kanë të bëjnë me oligarkët që bashkëpunojnë me Kremlinin.

Në anën tjetër, Rusia e ka mohuar përgjegjësinë për sulmin ndaj Skripalit, duke deklaruar se ky rast ishte një provokim dhe montim nga shërbimet e inteligjencës britanike. Për më tepër, Moska i ka vlerësuar sanksionet në lidhje me armët kimike dhe biologjike si joligjore, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

the authorBurbuqe Metolli