Aktuale

Rusia i ofron mbështetje Serbisë, kundër Kosovës

Rusia është e gatshme që edhe në të ardhmen t’u ofrojë partnerëve serbë ndihmë në mbrojtjen e interesave legjitime nacionale në raport me Kosovën, mbi të gjitha në strukturat ndërkombëtare, ka porositur shefi i diplomacisë ruse, Sergej Lavrov, në një letër dërguar kolegut të tij serb, Ivica Daçiq.

Në këtë letër, siç raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug”, në lidhje me aksionin e forcave speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës dhe arrestimin e shefit së të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, Lavrov e ka njoftuar Beogradin se janë dërguar “udhëzimet e duhura tek përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në OKB dhe New York, sikurse edhe tek BE-ja dhe NATO-ja në Bruksel, e po ashtu edhe tek OSBE-ja në Vjenë”, transmeton Koha.net.

Siç thuhet më tej në letrën që Lavrovi ia ka kthyer Daçiqit, i cili i kishte shkruar atij dhe të gjitha shteteve anëtare të OKB-së në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, e ka njoftuar shefin e diplomacisë serbe se “ndanë plotësisht vlerësimet” e tij për situatën.

the authorE B