Rusia thotë se ka armën e cila mund ta “sakatojë” Marinën Amerikane

Avionët luftarakë të Rusisë mbajnë armë elektronike të cilat mund të prishin sistemin mbrojtës raketor të Marinës Amerikane, thotë media shtetërore ruse.
Programi Vesti i Russia-1 tha se një pajisje luftarake elektronike e quajtur “Khibiny” ishte përdorur nga një pilot rus për të çaktivizuar tërësisht sistemet e mbrojtjes të USS Donald Cook më 2014 në Detin e Zi.

Sistemi Aegis i SHBA-së, i prodhuar nga Lockheed Martin, është i dizajnuar për të mbrojtur një flotë nga sulmet e avionëve dhe raketat balistike, transmeton Gazeta Express.

Por transmetuesi i kontrolluar nga shteti Vesti pretendon se piloti i një avioni Sukhoi Su-24 ishte në gjendje që të çaktivizojë “tërë sistemin e anijes” me “valë të fuqishme radio-elektronike” gjatë një fluturimi afër tri vite më parë, gjatë kohës së aneksimit të Krimesë nga Rusia.

“Nuk është nevoja të kesh armë të shtrenjta për të fituar (luftën), bllokimi i fuqishëm radio-elektronik është i mjaftueshëm”, shtoi ai.