Sport

Sadiku: Izraelitët luajtën me nervat tona

Armando Sadiku nuk ia doli dot mbanë për të ndihmuar Kombëtaren në një ndeshje delikate si ajo ndaj Izraelit. Bomberi kuqezi edhe pse mori pjesë në seancat stërvitore të drejtuara nga De Biasi, kërkon ende kohë për t;u rikuperuar plotësisht nga dëmtimi i pësuar rreth një muaj më parë.

Sulmuesi nga Elbasani që e ndoqi ndeshjen nga tribuna e “Elbasan Arena” rrëfen ndeshjen e parë nga një tjetër këndvështrim.

“Në tribunë e përjetova më shumë dridhje ndeshjen. Shpresoja që ekipi të rikthehej pas kartonit të parë të kuq por ishim të pafat. Izraelitët luajtën me nervat tona dhe ia dolën”, deklaroi Sadiku.

Në vijim ai rrëfen edhe arsyen se përse gjatë momenteve të fundit stafi mjekësor i rekomandoi tribunën dhe jo stolin.

“Të them të drejtën jam përgatitur shumë këto dy javë. Jam stërvitur me grupin por pas një bisede me trajnerin vendosëm që do të ishte më mirë të mos rrezikoja. Sipas mjekëve është ende herët dhe arritëm në përfundimin se ky ishte vendimi më i mirë që mund të merrnim”.