Aktuale

Samiti i Parisit mes zgjidhjes dhe “status-qous” për dialogun Kosovë-Serbi

Me 1 korrik krerët shtetëror të Kosovës dhe Serbisë do të bëhen sërish bashkë në Paris për të diskutuar rreth dialogut mes dy shteteve dhe arritjen e marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve. Takimi që është pasues i atij të Berlinit, me ndërmjetësimin e dy liderëve me të fuqishëm evropian, Angela Merkel e Emanuel Macron, synon që t’i jap kahje finale dialogut që ka filluar mes dy vendeve tash e disa vjet.

Për të koordinuar gjithçka për këtë Samit, në Kosovë erdhi një delegacion i përbashkët me përfaqësues të kancelarës së Gjermanisë Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Ardhja e këtij delegacioni në Prishtinë, sipas analistëve nuk ka sjellë zgjidhje, por ua ka bërë me dije liderëve kosovarë që t’i respektojnë normat ndërkombëtare të bisedimeve.

Analisti politik, Ramush Tahiri, në një prononcim për Agjencinë e Lajmeve FaktePlus, ka thënë se vizita e delegacionit të Francës dhe Gjermanisë është e rëndësishme për Kosovën, pasi konfirmon se Kosova është në agjendën evropiane, por edhe që të sigurohen se Kosova të ketë gatishmëri për të nisur dialogun.

“Delegacioni francez dhe gjerman nuk imponon dhe nuk ka zgjidhje, thjesht ju thotë Kosovës që t’i respektoj normat ndërkombëtare për bisedime dhe të kenë një qëndrim qysh do të ishte zgjidhja apo qysh do të duket marrëveshja me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Tahiri, shkruan FaktePlus.

Duke qenë se në Samitin e Berlinit, dy krerët e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë shkuar me qëndrime të ndryshme, sipas Tahirit, në dialog dallimet kryesore janë mes dy shteteve, e jo ato mes dy liderëve të Kosovës.

“Përveç që ka dallime ndërmjet liderëve të Kosovës, dallimet kryesore tash janë ndërmjet liderëve të Kosovës dhe Serbisë, sepse janë dy çështje diametralisht të kundërta dhe bisedimet do të zhvillohen Kosovë-Serbi, jo Kosovë-Kosovë. Në këtë fazë sado që duken deklarimet e Kosovarëve që janë të ndryshme dhe nuk janë harmonike ato megjithatë harmonizohen sepse është në platformë dhe nuk e shoh shumë problem këtë dallimin mes kryeministrit dhe presidentit sepse çështjet për të cilat dallojnë nuk është në rend dite fare”, theksoi Tahiri.

Megjithatë, problem tjetër që sheh analisti Ramush Tahiri në Samitin e Parisit, është edhe prezenca ose jo e delegacionit të Serbisë.

Megjithatë, ai thekson se dialogu do të nis dhe do të tentohet arritja e marrëveshjes që do të jetë e pranueshme për të dyja palët.

“Dialogu do të nis tani, por është problem a do të jetë delegacioni i Serbisë apo jo, edhe pse i kanë qit disa kushte unë besoj që të nis pa ndonjë kusht të theksuar dhe nuk do të kryhet, por do të tentohet normalisht që përmes bisedimeve që i njohim ne si teknike të arrihet një marrëveshje, e cila është e pranueshme për palët. Por zgjidhje të gatshme nuk ka dhe nuk pretendon asnjëra palë. Sepse për status nuk ka çka flitet më sepse edhe po të duan Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi të nënshkruajnë diçka të tillë nuk ua pranon populli i Kosovës”, u shpreh Tahiri.

Ndërsa, analisti Blerim Burjani, vizitën e delegacionit gjerman dhe francez e sheh si njoftim për liderët e Kosovës se çka pritet të ndodh në Samitin e Parisit.

“Ardhja e këshilltarëve të Merkelit dhe Macron kishte për qellim bindjen e liderëve kosovarë që të sillen në mënyrë konstruktive. Të hiqen po ashtu pengesat për rifillimin e dialogut dhe të ndërpresin retoriken e ashpër ndërmjet vete me propozim masash dhe kundërmasash që nuk shpien askund. Heqja e taksës prapë ishte pjesë e bisedave si dhe kërkesa që palët të arrijnë të merren vesh me një model të caktuar te zgjidhjes. Pra, vizita kishte të bëjë për përgatitjen edhe të agjendës, por edhe njoftimin se çka pritet të ndodhë në këtë Samit”, tha Burjani për FaktePlus.

Për analistin Burjani ende nuk ka një mendim unik nëse Samiti i Parisit do të jetë historik ku do të dalë edhe zgjidhja e dialogut mes dy vendeve, apo vetëm do t’i heq pengesat për fillimin e dialogut.

“Ka mendimet të ndara për këtë Samit, prej asaj që quhet historik, deri të ajo që vetëm do të heq pengesat për rifillim të dialogut, pra pa ndonjë zgjidhje tjetër dhe një pjesë e zyrtarëve të lartë e konsiderojnë si shanse për zgjidhje. Megjithatë, deri me tash nuk ka asnjë dokument zyrtar dhe publik që do të trajtohet në Paris. Prapa skenës mund të ketë gjithçka, por publikisht asgjë. Unë konsideroj se është me rëndësi jetike të ruhet vetëm negocimi teknik dhe se palët duhet të merren me një dokument teknik për caktimin e kufijve, por jo për tema tjera të natyrave politike dhe ndërkombëtare që në fakt e përbën edhe temën boshe të trajtimit, pra tema e kufijve dhe pjesa e dyte është njohja reciproke në mes dy vendeve”, ka theksuar Burjani, shkruan FaktePlus.

Samiti i Parisit pason atë të Berlinit, në të cilin morën pjesë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, por që në fokus ishin Kosova dhe Serbia. Ndërsa, në Paris është paraparë që të marrin pjesë vetëm delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, si dhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel e presidenti francez, Emmanuel Macron si nikoqir i Samitit./FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli