Sport

Sarri drejt largimit nga Chelsea, dy superklube të Serie A “fërkojnë duart”

Ndjenjat nuk janë pozitive, madje as fitorja në një finale europiane nuk mund të jetë e mjaftueshme për rikonfirmimin. Maurizio Sarri është një “njeri i vdekur që ecën” te Chelsea, në këtë pjesë të fundit të sezonit, pavarësisht një jave për të kujtuar, për rezultatet e arritura.

Trajneri toskan vulosi sigurinë matematikore të kualifikimit në Ligën e Kampionëve (sezonin e ardhshëm), me vendin e tretë në Premier League, dhe më pas siguroi finalen e “Europa League”, katër ditë më vonë, pas një beteje emocionuese kundër Eintracht Frankfurt, që kaloi përmes “ruletës ruse” të penalltive.

Të gjitha këto nuk mjaftojnë që Sarri të konfirmohet në Londër, edhe pse ka kontratë të vlefshme deri në vitin 2021. Sipas asaj që raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, drejtuesit e bluve londinezë kanë vendosur t’i japin duart menjëherë pas finales së Ligës së Europës, e planifikuar të luhet të mërkurën e 29 majit në Baku të Azerbajxhanit, kundër Arsenalit. Deri në atë ditë, përqendrim absolut i Sarrit për ta sjellë në shtëpi trofeun e parë dhe të vetëm sezonal, duke fituar derbin e Londrës në Baku.

Në disavantazhin e rikonfirmimit të trajnerit italian janë kryesisht dy aspekte. E para lidhet me marrëdhëniet që ka Sarri me tifozët, që nuk është aspak idilike, ndërsa e dyta buron nga një personalitet i fortë, që Roman Abramovich ka pëlqyer gjithmonë. Gjithçka tregon, pra, për një ndarje të menjëhershme të palëve, pas finales së 29 majit. Kjo do të vinte në garë dy klube italiane, Milanin dhe Romën, që po kërkojnë njeriun e duhur për stolat e tyre.

Nga njëra anë, kuqezinjtë duhet të përshëndeten me Gennaro Gattuso, veçanërisht në rast të mungesës së kualifikimit në Ligën e Kampionëve, nga ana tjetër verdhekuqtë do ta dëshironin fort Sarrin, pas refuzimit publik të Antonio Conte.

Ish-trajneri i Napolit ka një miqësi të fortë me Franco Baldini, këshilltar personal i presidentit roman, James Pallotta. Në të kaluarën ka pasur kontakte midis të dyve dhe Sarri duket se është gati të kthehet në Serie A. Kuptohet, nëse Chelsea e përzë, sikurse janë gjasat. Sidoqoftë, më 30 maj do të dimë më shumë… /FaktePlus