Rajon & Botë

Schauble: Britania e Madhe e mirëpritur në BE

Britania e Madhe do të jetë e mirëpritur në Bashkimin Evropian, nëse vendos të heqë dorë nga Brexit, deklaroi ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Bloomberg”.

“Qeveria britanike ka theksuar se do të vazhdojë ta mbështesë Brexit-in”, nënvizoi ministri gjerman i Financave.

“Ne e respektojmë këtë vendim. Por, nëse dëshirojnë të ndryshojnë vendimin e tyre, atëherë, sigurisht që do ta gjejnë portën të hapur”, shtoi ai dhe shtoi se nuk është shumë e mundur që Londra të heqë dorë nga Brexiti.

“Por, zgjedhja e një presidenti pro-evropian në Francë dhe vota e të rinjve britanikë në mbështetje të Partisë Laburiste gjatë zgjedhjeve legjislative të së enjtes tregojnë se Bashkimi Evropian ka një të ardhme”, theksoi ai.

Dështimi zgjedhor i kryeministres konservatore, Theresa May, e cila humbi maxhorancën absolute në Parlament, ushqen spekulimet se do të ndryshojë qasjen e saj në negociatat me Brukselin për daljen nga BE.

Disa shprehen se ajo do ta ketë të vështirë të mbajë kryesimin e ekzekutivit.

Britanikët vendosën në vitin 2016 nëpërmjet një referendumi për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.