Aktuale

Selimi: Fajtor për mos bërjen e ushtrisë është Hashim Haxhi Thaçi

Deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi gjatë fjalës së tij në seancën e Kuvendit ka aktualizuar projektligjin për FSK-në që sipas tij sot është dashur që të jetë në Kuvend.

Selimi tha se Kosova nuk ka ushtri pasi që Qeverive të Kosovës u ka munguar vizioni dhe vullneti për një gjë të tillë. Sipas Selimit kjo ndodhë pasi që në zyrën presidenciale është një njeri manipulant, i cili sipas tij po vazhdon të luajë me sigurinë e vendit.

Sipas deputetit të VV-së presidenti aktual ka tërhequr projektligjin për FSK-në për t’i hapur rrugë kësaj teme në Bruksel. Selimi tha se Vetëvendosja edhe në kohën sa ishte Thaçi kryeministër ka ofruar votën për ndryshimin e ligjit për FSK-në, por edhe atëherë edhe tash një njeri me pushtetin e tij ka vënë në rrezik të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës.

Selimi më tej tha se ushtria i duhet edhe Kosovës por edhe NATO-s. Për mos bërjen e ushtrisë Selimi tha se vetëm një njeri është përgjegjës e ai është “Hashim Haxhi Thaçi”. Selimi ia ka përmendur Thaçit premtimin për dorëheqje nëse ligji për FSK nuk kalon në Kuvend./KosovaPress/