Aktuale

Serbia paralajmëron hyrjen masive të mallrave serbe në Kosovë

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq është shprehur sot se qeveria e Serbisë do të fusë mallra serbe në Kosovë – me çdo kusht!

Ajo është shprehur se Serbia do të përdorë gjithë fuqinë e saj për të siguruar mallra nga Serbia që arrijnë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Bërnabiq gjithashtu është shprehur se shpreson në bashkësinë ndërkombëtare t’i kushton më shumë vëmendje çështjes dhe të sigurojë heqjen e taksave e rrjedhjen e lirë të mallrave.

E sot, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova nuk do të lejojë veprime të paligjshme ndërkufitare përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

Ndërkohë, tash e sa ditë Serbia është duke inskenuar një krizë humanitare në veri të Kosovës me pretendimet se mungojnë mallra ushqimore dhe barna.

Lajmi.net dje ka raportuar gjithashtu me dokumente se kjo krizë është e gjitha një inskenim i Serbisë që duket se për qëllim e ka heqjen e taksës me reagimet e bashkësisë ndërkombëtare.

Mungesa e mallrave në veri të Kosovës është mohuar edhe nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në një prononcim për lajmi.net të ministrit Endrit Shala i cili tha se veriu furnizohet dhe ka qasje të barabartë në të gjitha mallrat.

Ndërsa, ministria e Shëndetësisë e ka përgënjeshtuar propagandën e mungesës së barnave dhe mbylljeve të barnatoreve në veri.

Në një përgjigje për lajmi.net zyra për media e kësaj ministrie janë shprehur se nuk ka as mungesë të barnave e as mbyllje të barnatoreve dhe e gjitha është propagandë e Serbisë.

Vlen të theksohet se muaj më parë pas vendosjes së taksës, ministri serb i Tregtisë, Rasim Ljajiq kishte thënë se në Kosovë mallrat futen nëpërmjet kontrabandës, gjë që ishte mohuar nga institucionet e Kosovës.

Por, në anën tjetër, ekspertët e ekonomisë patën tërhequr vërejtjen se me fuqizimin e taksës, mund të rritet ekonomia informale dhe kontrabanda gjë e cila nuk po mohohet nga Serbia.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë me Doganën e Kosovës për t’i pyetur nëse ka pasur tentime për futje të mallrave në Kosovë, por këta të fundit nuk janë përgjigjur. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli