Aktuale

Sërish dështon ballafaqimi në gjykatë i Haradinajt kundër Muhaxherit

Sërish ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin ku me pretendimet për shpifje dhe fyerje ndaj tij, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka paditur kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Të hënën në Gjykatën Themelore në Pejë, ishte paraparë seanca në këtë rast, mirëpo ajo nuk ka arritur të mbahet për shkak të grevës, në të cilën me kërkesën për rritje të pagave kanë hyrë punëtorët administrativë të gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi.

Padia ndaj Muhaxherit, e ushtruar në vitin 2015, ka ardhur me pretendimet se kryetari i Pejës, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, kishte thënë se Haradinaj po bënë para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit.

Këto deklarata të Muhaxherit, Haradinaj i kishte cilësuar si shpifje, me ç’rast edhe kishte ushtruar padi, duke kërkuar dëmshpërblim në shumë prej 250 mijë eurosh.

Gjykatësja Ganimete Puka, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se palët e kishin njoftuar atë se nuk do të vijnë në këtë seancë, për shkak të kësaj greve.

Ajo ka thënë se seancën në këtë rast e ka shtyrë në kohë të pacaktuar.

Haradinaj e Muhaxheri, kishin munguar edhe në seancën përgatitore të mbajtur më 5 qershor të këtij viti.

Në këtë seancë, Haradinaj ishte përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, ndërsa kishte munguar edhe avokati i Muhaxherit, Besnik Berisha.

Gjykatësja Ganimete Puka, kishte deklaruar se i padituri Muhaxheri, e ka njoftuar gjykatën se ai nuk ka pasur mundësi të vijë në seancë për arsye objektive.

Gjatë seancës përgatitore, përfaqësuesi i paditësit, Ramush Haradinaj, avokati Arianit Koci, kishte deklaruar se i padituri Gazmend Muhaxheri në prononcimin e tij në gazetën austriake “Der Standard”, më 11 prill 2015, ka shpifur ndaj paditësit Ramush Haradinaj, me ç’rast sipas tij, është dëmtuar reputacioni i paditësit Haradinaj.

Kurse, në përgjigjen në padi të paditurit Muhaxheri, të dhënë me 21 janar 2018, theksohet se i padituri e konteston në tërësi padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar dhe përmes përgjigjes ka propozuar të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares gazetarja e gazetës austriake “Der Standard”, Adel Heit Volf.

Përfaqësuesi i paditësit Ramush Haradinaj, avokati Koci lidhur më përgjigjën në padi, kishte deklaruar se pretendimi i të paditurit Gazmend Muhaxheri se është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në atë artikull është një tentim i pasuksesshëm për tu shfajësuar.

Gjykatësja Puka, kishte marr aktvendim me të cilën ishte aprovuar propozimi i të paditurit për leximin e artikullit të gazetës “De Standard” , po ashtu edhe artikullin e publikuar në portalin “Dialog Plus”.

Ndërkaq, kishte refuzuar propozimin e të paditurit Gazmend Muhaxheri që në cilësinë e dëshmitarit të procedohet gazetarja Adel Heit Volf, me arsyetimin se dëshmia e saj është irrelevante.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, pretendon se është fyer dhe i është cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.

Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn ka shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë. /BpD/.

the authorE B