Aktuale

Shala: Muri është ilegal, po presim një vendim tjetër të Qeverisë

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po pret vendimin e Qeverisë për rrëzimin e murit në veri të Mitrovicës, të ndërtuar nga serbët e veriut.

MMPH-ja tashmë ka kryer të gjitha veprimet juridike dhe ka nxjerr të gjitha aktet  normative e inspektuese,  të cilat kanë konstatuar se muri në veri është ilegal dhe si i tillë duhet të rrënohet.

Mos rrënimi i murit ilegal në veri të Mitrovicës i paraparë deri me 31 janar(dje), sipas ministrit të Mjedisit Ferat Shala është bërë për arsye të diskutimeve të shumta që murin ta rrënojnë vet ndërtuesit. Mirëpo, pavarësisht gatishmërisë së institucioneve të Kosovës, udhëheqësit lokal të Mitrovicës së Veriut nuk janë treguar të gatshëm ta bëjnë një gjë të tillë.

Në një intervistë për KosovaPress, ministri   Shala ka thënë se ata tashmë kanë kryer të gjitha veprimet juridike dhe operacionale sa i përket çështjes së murit, mbi të cilën bazë është rikonstatuar se muri është objekt ilegal, i panevojshëm, nuk plotëson asnjë kriter as standard as urbanistik, është mesazh i keq për qytetarët e Mitrovicës dhe si i tillë duhet të rrënohet.

 

“Këto janë fazat në të cilat i kemi trajtuar problematikën e murit edhe si objekt ilegal, edhe si objekt ndërtimor edhe si pjesë e planeve rregulluese të qytetit të Mitrovicës. Prandaj mbesim dhe rikonstatojmë se muri është ilegal dhe duhet të rrënohet”, ka thënë Shala.

Pas përfundimit të të gjitha përgatitjeve ligjore nga ana e Ministrisë, Shala tha se po presin një vendim tjetër nga Qeveria e Kosovës, meqë edhe pas shumë diskutimeve nuk kanë arritur të zgjidhin këtë çështje përmes dialogut.

 

“Aktualisht përkundër vullnetit që kemi shprehur dhe gatishmërisë që kjo punë të zgjidhet me dialog ne kemi përgatitur të gjithë dokumentacionin legal dhe kemi informuar të gjitha instancat vendore dhe ndërkombëtare që kjo punë tashmë e ka këtë konstatim edhe ligjor edhe normativ dhe përkundër kësaj jemi në pritje të koordinimit me nivelet me të larta qeveritare dhe faktorët e tjerë në Kosovë, në mënyrë që ta përmbushim edhe rezolutën edhe ligjin. Përkundër vullnetit tonë ende nuk kemi sinjal pozitiv nga pala tjetër por megjithatë ne mbetemi të hapur që brenda mundësive maksimale ta zgjidhim këtë çështje me dialog. Jam në pritje të vendimeve tjera, vendimeve të Qeverisë dhe koordinimit me faktorët relevantë ndërkombëtarë, me aleatët, me miqtë tanë që na kanë mbështetur në këtë proces”, është shprehur ministri Shala.

Ministri Shala ka ritheksuar se ata si institucione vazhdojnë të angazhohen dhe të jenë të gatshëm që muri në veri të zgjidhet përmes dialogut, ndonëse pushteti lokal në pjesën veriore po e kundërshton heqjen e murit në mënyra civilizuese dhe me pajtueshmëri.

 

“Qëllimi, angazhimi dhe orvatjet kanë qenë serioze në të gjitha nivelet, gatishmëri ekziston në të gjitha nivelet që të gjendet zgjidhje me anë të dialogut, por deri me tani nuk kemi  rezultat pozitiv”, ka shtuar ai.

Por, ai nuk ka dashur të përmend kohën se kur do të ndodh largimi i murit.

 

“Unë nuk dua të përmend data, por jam thellësisht i bindur që zbatueshmëria e ligjit, rezolutës e të drejtës juridike duhet të realizohet”, është shprehur ai.

Kryeministri i Kosovës Mustafa dhe ai i Serbisë Aleksandër Vuçiç do të takohen sot në Bruksel në kuadër të vazhdimit të bisedimeve, mes dy vendeve, por mundësia e diskutimit edhe për murin në Bruksel, është kundërshtuar nga ministri Ferat Shala, sipas të cilit kjo çështje nuk ka qenë dhe nuk është pjesë e agjendës ndërkombëtare.

 

“As nuk ka qenë pjesë e agjendës ndërkombëtare dhe konsideroj që as duhet të jetë pjesë e agjendës ndërkombëtare. MMPH-ja për aq sa kemi kompetenca ligjore nuk ka marr pjesë dhe nuk do të marr pjesë në një agjendë të tillë jashtë vendit, por kemi qenë të hapur, jemi të hapur që brenda institucioneve të Kosovës të bisedohet për gjithë problematikat që na obligon ligji”, ka thënë ministri Shala.

Kuvendi i Kosovës në dhjetorin e vitit që shkoi ka nxjerr një rezolutë me anë së cilës obligohet Qeveria e Kosovës që muri i ndërtuar matanë urës së Ibrit të rrënohet brenda janarit./KP