Aktuale

SHBA-ja vazhdon mbështetjen për FSK-në

Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës Haki Demolli priti sot në takim zyrtar komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës(SHBA), gjeneral Timothy Orr, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në takimin e ministri Demolli dhe gjeneralit Orr, u bisedua për marrëdhëniet e partneritetit mes dy institucioneve, shkallën e bashkëpunimit, aktivitetet në vazhdim, si dhe për perspektiven e ngritjes dhe intensifikimin e  nivelit të këtij bashkëpunimi në kuadër të partneritetit shtetëror Kosovë-Ajovë.

Demolli me këtë rast falënderoi komandantin e Gardës Kombëtare të Ajovës për mbështetjen dhe përkrahjen që Garda Kombëtare e Ajovës ka ofruar për FSK-në, duke potencuar faktin se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si partner strategjik i Kosovës, është shumë i rëndësishëm për proceset që po kalon dhe përpjekjet që po bën vendi ynë për  ndërtimin dhe funksionalizimin e institucioneve të sigurisë.

Ministri Demolli, tha gjithashtu se Ministria për FSK dhe FSK-ja çmojnë lart angazhimin e burrave dhe grave, ushtarakë amerikanë, të cilët për gjatë gjithë vitit kanë kontribuuar në avancimin e profesionalizmit të pjesëtarëve dhe njësive tona, në veçanti angazhimin e ushtarakëve amerikanë të cilët janë të angazhuar në planifikimin e stërvitjes së përgjithshme fushor të FSK-së ,,Shqiponja 5’’ që do të mbahet gjatë ditëve të ardhshme.

Komandanti i Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral Timothy Orr u shpreh i lumtur me të arriturat e FSK-së, si dhe shprehu gatishmërinë e Ajovës dhe SHBA-së për vazhdimin e bashkëpunimit dhe përkrahjes./KosovaPress/