Aktuale

SHBPK: Qytetarët të dalin masovikisht në zgjedhje

Kryesia e Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës të premten i ka bërë thirrje anëtarësisë së vet dhe gjithë qytetarëve të Kosovës që të dalin masovikisht në zgjedhje dhe me votën e tyre të lirë të vendosin për kandidatët më të mirë që do të udhëheqin me Kosovën.

“Kërkojmë prej votuesve që të përcaktohen për kandidatët që karakterizohen me virtytet më të larta njerëzore, kombëtarisht të dëshmuar, të pa korruptuar e të pa shantazhueshëm, të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar në ndërtimin e shtetit tonë të ri”, thuhet në një komunikatë për media.

Kryesia e Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës kërkon prej votuesve që të përcaktohen për kandidatët që do të punojnë me ngulm në orientimin euro-atlantik, forcat progresiste dhe demokratike dhe që

me votën e tyre të lirë të zgjedhin kandidatët që do të punojnë për të sanuar dobësitë evidente në ekonomi, shëndetësi, arsim dhe drejtësi.

“Kërkojmë nga zgjedhësit të përzgjedhin njerëzit e dëshmuar që ruajnë dhe kultivojnë marrëdhëniet e shëndosha dhe të ngushta me aleatët tanë, SHBA dhe BE.

Kërkojmë nga zgjedhësit që përzgjedhjen ta bëjnë në atmosferë të lirë e të qetë, si shenjë e një shoqërie të pjekur demokratike”, përfundon komunikata e Kryesisë së Shoqatës së ish-të Burgosurve Politikë të Kosovës.