Aktuale

Shënohet 100 vjetori i lindjes së atdhetarit Xhelal Mitrovica

Xhelal Mitrovica ishte një intelektual i formuar, studiues i zellshëm e luftëtar konsekuent për çështjen kombëtare, politikan i kompletuar e një njohës i shkëlqyeshëm i historisë së popullit shqiptar, analist i hollë  i problemeve ndërkombëtare si dhe një ndër emrat më të mëdhenj të gazetarisë shqiptare. Është fatkeqësi që veprimtaria e tij e gjerë në gazetarinë shqiptare ka mbetur e panjohur për lexuesin shqiptar.

Kështu u tha gjatë shënimit të 100 vjetorit të lindjes së tij, që u mbajt sot në Mitrovicë, ku morën pjesë familjarë të patriotit, pushtetarë, intelektualë dhe mysafirë të shumtë.

Nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Safet Kamberi, u shpreh krenar që qyteti i Mitrovicës ka pasur një personalitet të shquar dhe intelektual siç ishte Xhelal Mitrovica.

 

“Xhelal Mitrovica së bashku me disa intelektualë tjerë si Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini e të tjerë, u angazhuan me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe si dhe për hapjen e shkollave shqipe në Perfekturën e Mitrovicës. Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”, ka thënë mes tjerash Kamberi.

Duke bërë një përshkrim të figurës së atdhetarit, drejtori i RTV Mitrovica Nexhmedin Spahiu, tha se jo vetëm Xhelali, por edhe i ati Dervishi dhe të tjerët, ishin atdhetarë të devotshëm dhe të përkushtuar për të ndihmuar me të gjitha forcat avancimin e çështjes mbarëkombëtare.

 

“Mitrovica ka pasur fatin dhe nderin që figurat më të shquara në historinë moderne të Kosovës dhe Shqipërisë të lidhen me këtë qytet, o me jetën, o me veprën e tyre…Doktor Xhelal Mitrovica dhe babai i tij Dervish Mitrovica, si dhe daja Xhafer Deva, janë shtyllat kryesore të këtij identiteti të Kosovës. Këta, secili në fushën e vet, i dhanë Kosovës shndërritjen më të madhe në histori dhe Shqipërisë i dhanë shkëlqimin e Kosovës”, theksoi Spahiu.

Ndërkaq, në emër të familjes Mitrovica, ka folur vajza e madhe Lolita Mitrovica-Kupi.

Sipas saj, pjesa më e madhe e nacionalistëve sot janë lënë në harresë ose ju është hedhur baltë prej të cilës ende nuk kanë dalë.

Ajo ka bërë të ditur se e ka njohur Xhelalin si një bashkëshort dhe baba të dashur, të përkushtuar dhe të interesuar për zhvillimet shoqërore, intelektuale e njerëzore të shtatë fëmijëve.

 

“Kohët e fundit kemi filluar të zbulojmë përmasat e angazhimit të gjyshit e të babës dhe përpjekjet e vazhdueshme të tyre për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë, lirinë e popullit kosovar, përpjekjet për arsimin në gjuhën amtare dhe mundësinë e zhvillimit të rinisë kosovare, pavarësisht çmimit personal, shpirtëror dhe ekonomik”, ka thënë Kupi.

Në shenjë respekti dhe falënderimi për veprimtarinë shumëdimensionale të Xhelal Mitrovicës, nënkryetari  Kamberi në emër të Komunës i ka dorëzuar familjarëve të patriotit një mirënjohje post mortum.

Gjatë këtij manifestimi që u organizua nga RTV Mitrovica, Komuna e Mitrovicës dhe Shoqata e shkrimtarëve ‘Ali Hadri’ në Mitrovicë, u shfaqë një dokumentar kushtuar jetës dhe veprës së Dr Xhelal Mitrovica, si dhe u ekzekutuan disa pika muzikore nga anëtarët e grupit AD Libitum. /KP