Shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeut

Muzeu Kosovës këtë vit e shënon pak më ndryshe se vitet e tjera Ditën Ndërkombëtare të Muzeut, pasi që tanimë është anëtare e ICOM-it, organizatës më të madhe botërore të muzeve.

Drejtori i Muzeut Skënder Boshtrakaj tregoi për aktivitetet që do të mbahen sot gjatë gjithë ditës.

“Muzeu i Kosovës vitin 2017 e shënon pak më ndryshe pak më ndryshe se vitet e tjera Ditën Ndërkombëtare të Muzet sepse ne nga ky vit jemi anëtarë të ICOM-it, organizatës më të madhe botërore të muzeveve dhe këtë vit ne fillojmë me aktivitete të grupmoshave të reja. Shumica e performancave tona, ekspozitave tona, është jashtëzakonisht e kuruar nga profesionist të fushës, nga arkeologë të nderuar, historianë e të tjera”, tha ai.

Boshtrakaj tha se për të vegjlit kanë organizuar një aktivitet të ri të quajtur “Thesari”, si dhe tregoi se për këtë ditë kanë një prurje artistike shumë interesante nga shkolla “Xhevdet Doda” të cilët në korrikulën e tyre përdorin trashëgiminë kulturore për të përvetësuar më mirë letërsinë dhe historinë.

Boshtrakaj gjithashtu tha se maturantët e Shkollës Teknike “28 Nëntori” në Prishtinë kanë punuar një vepër në të cilën kanë paraqitur trashëgiminë kulturore përmes një murali me vizatime.

I pyetur se çfarë konkretisht kanë synuar përmes temës “Të thuash të pathënën në muze”, Boshtrakaj për KosovaPress u shpreh se kjo është një temë bosht e ICOM-it.

Sipas tij vendet e Ballkanit duhet të bashkëpunojnë në aspektin e trashëgimisë kulturore duke stimuluar ekspozitat nëpër këto vende.

Ndërkaq tha se Kosovës ende nuk i janë kthyer dy koleksione shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të cilat janë marr qysh para 17 vitesh për ekspozitë në Beograd.

Kosova me fqinjët e vet, me Ballkanin duhet të stimulojë shumë qarkullimin e ekspozitave nëpër rajon dhe kjo ende nuk po ndodhë. Qarkullimin e ekspertëve, për shembull kampi i restaurimeve është një prej kontribuueseve për qarkullimin e vizitorëve dhe audiencave. Këtë provojmë me e çu si mesazh në Kosovë dhe rajon. Dy koleksione shumë të rëndësishme të Muzeut të Kosovës ende nuk janë kthyer në Kosovë. Ato para 17 vjetësh janë marrë për t’u ekspozuar në Beograd dhe edhe pse kanë ndryshuar rrethanat politike, ato nuk janë kthyer në vendin e vet”, tha Boshtrakaj.

Sa i përket interesimit të qytetarëve për ta vizituar Muzeun dhe atë që ai ofron, Boshtrakaj tha se vizitat zakonisht janë të karakterit turistik ,ndërsa shtoi se një audiencë në rritje është diaspora.

Muzeu i Kosovës po mundohet të informojë edhe më të vegjlit sa më shumë me rëndësinë që ka trashëgimia kulturore.

Prandaj sot në pikën programore “ABC rreth trashëgimisë kulturore” fëmijët e kopshteve të Prishtinës u treguan mjaft entuziast dhe të informuar në këtë aspekt.

Vogëlushja Anila Gashi u shpreh se ndihet e gëzuar në Ditën e Muzeut pasi që tha se ka një simpati për muzetë.

“Mua më pëlqen muzeu shumë se është shumë I mirë. Fëmijët luajnë gjithmonë që me u kënaq”, tha Anila.

Për të voglin Nest Çitakun është kënaqësi të festohet Dita e Muzeut.

“Mua më pëlqen muzeu shumë. Sot kom ardhë këtu për të festuar Ditën e Muzeut”, tha Çitaku.

Ndryshe, Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë dhe që atëherë çdo 18 maj Muzetë anembanë shënojnë këtë ditë me aktivitete të ndryshme./KP