Rajon & Botë

Shiu shuan zjarret e tmerrshme në Amazonën e Bolivisë

Reshjet e mëdha të shiut të ditëve të fundit në pyjet e Amazonës brenda territorit të Bolivisë kanë ndihmuar shumë në shuarjen e zjarreve, të cilat nisën para dy muajve në këtë shtet. Autoritetet lokale kanë thënë se nga zjarri deri tash janë djegur më shumë se katër milionë hektarë pyje.

Stuhia me shi ishte ndihmë për ushtrinë e Bolivisë gjatë luftës me zjarret në rajonin Chiquitana, në të cilin ka sipërfaqe të mëdha të pyjeve të thata dhe numër të konsiderueshëm të banorëve indogjenë, të cilët kanë jetuar në këto vende me shekujt të tërë.

“Në pamjet satelitore nuk shihet më ndonjë zjarr aktiv”, tha Cinthia Asin, zyrtare për çështje mjedisore në qeverinë rajonale të Santa Kruzit, rajon bujqësor që është goditur rëndë nga zjarret.

Qindra njerëz protestuan javën e kaluar në kryeqytetin e Bolivisë për, siç thanë ata, kundërpërgjigjen e ngadalshme ndaj zjarreve nga qeveria qendrore. Më shumë veprime në këtë aspekt kanë kërkuar edhe banorët autoktonë të këtij rajoni.

Shërbimi kombëtar i motit gjithashtu tha se të hënën nuk është regjistruar asnjë zjarr. Sidoqoftë, ky institucion paralajmëroi se në ditët në vijim priten ditë me diell dhe temperatura të larta, të cilat mund ta rrisin rrezikun për zjarre të reja, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.