Ekonomi

Shkalla e papunësisë sipas Qeverisë është 27.5 %, opozita thotë se realiteti është ndryshe

Me gjithë ato premtime Kosova vazhdon të pozicionohet në lista ndërkombëtare si vendi më i varfër dhe me numër më të lartë të papunësisë në Evropë. Bazuar në të dhënave e fundit të publikuar në tre mujorin e tretë të vitit 2016-të, nga Enti i Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë është 27.5%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 32.3 %, krahasuar me meshkujt, 26.0%. Shkalla me e theksuar e papunësisë është te grup moshat 15-24 vjeçare me 52.7%. Vetëm gjatë fundvitit 2014 dhe fillimvitit 2015 janë larguar nga Kosova mbi 100.000 qytetarë si pasojë e gjendjes së rëndë ekonomike.

Megjithatë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është i bindur se papunësia është edhe më e ulët se sa që figuron dhe Kosova po zhvillohet. Këto deklarata të kryeministrit po shihen nga opozita, dhe një pjesë e pozitës, si fushatë elektorale, bënë të ditur KosovaPress.

I pari i Qeverisë, Isa Mustafa, në një konferencë për media të mbajtur dy javë më parë, për herë të parë kishte shpalosur të dhënat e numrit të papunësisë dhe ka hedhur poshtë konstatimet se Kosova është shteti më i varfër dhe me numër të papunësisë më të lartë në Evropë.

 

“Me gjithë ata që për arsye të ndryshme ndiejnë kënaqësi se Kosova është shteti më i pa zhvilluar , duke e konstatuar se jemi shteti me papunësinë dhe varfërinë më të madhe se jemi shteti me korrupsionin më të madhe me arsimin më të keq .Nuk shohin asgjë të bardhë në këtë vend. Po në qoftë se i shohim ata veç e veç, të gjithë i kanë punët mire…Kur jemi tek varfëria, mund të konstatoj që Kosova shumë shpejt do të kaloj pragun ndërkombëtar të varfërisë dhe do të konsiderohemi si shtet me të ardhura të mesme…Po ashtu në punësim kemi rezultat të cilat janë të pa mohueshme. Brenda dy viteve norma zyrtare e papunësisë sipas të dhënave statistikore, ka rënë prej rreth 35 për qind në 26 për qind në vitin 2016-të…Për dy vite ne llogarisim se kemi krijuar 40 mijë vende të punës. Shumica prej tyre janë vende të reja të punës. Bindja ime është se papunësia është edhe më e ulët se sa që figur on“, tha Mustafa.

Por, me këto deklarata nuk pajtohen ligjvënësit. Valdete Bajrami, deputete në Kuvendin e Kosovës nga Nisma, ka thënë për KosovaPress se deklarata e kryeministrit se ka pasur rritje të numrit të punësuarve në Kosovë është deklarim më tepër për fushatë elektorale se sa që realiteti e tregon

 

“Fillimisht deklarata e kryeministrit mund me u cilësua si fushatë zgjedhore , pasi që sigurisht po ja ndien erën zgjedhjeve të parakohshme por besimi në këtë realizim të këtij premtimi ne e dimë që nuk është as nga ana e qytetarëve aq nga ana e pozitës. Prandaj Kishte me qenë mirë të deklaroj zoti Mustafa për atë premtimin të cilin e ka dhënë në fushatë të 2014-ës për punësimin e 120 mijë qytetarëve e që ndodhi e kundërta me fillimin e mandatit të tij ku humbi 150 mijë qytetarë që u larguan nga vendi në shenjë të pakënaqësisë së formimit të koalicionit të LDK-së me PDK-së“, tha Bajrami.

Bali Muharremi, anëtar i Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa nga AAK, thotë se nuk është realizuar asnjë premtim i fushatës parazgjedhore për krijimin e vendeve të reja të punës. Ai thotë se deklaratat e kryeministrit duket të jenë deklarime për fushatë politike, pasi, vendi këtë viti ka gjasa që do të ketë dy palë zgjedhje, ato lokale dhe nacionale.

 

“Njëra i ka dhënë premtime mbi 200 mijë , tjetra mbi 120 mijë, mirëpo këto 25 mijë vende të reja të punës këtë vit dihet që është fushatë . Ka zgjedhje komunale por do të ketë edhe nacionale . Unë mendoj që 25 mijë vende të punës nuk do të ketë, por janë ata çka shkojnë në pension, në qoftë se i kanë llogaritë këto vende të punës. Nuk ka zhvillim ekonomik. Kur nuk ka zhvillim ekonomik nuk ka me pas as vende të reja të punës“, tha Muharremi.

Po ashtu edhe Shqipe Pantina, anëtare e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa e cila vjen nga Vetëvendosje, tha për KosovaPress se premtimet që kishin dhënë dy partitë më të mëdha në koalicion PDK dhe LDK , nuk i kanë mbajtur.

 

“Për me ditë se Qeveria ka krijuar vend të reja të punës në secilën familje , secili mund të ja shtroj këtë pyetje vetë vetës se kush nga anëtarët e familjes ka filluar për herë të parë të punoj këtë vit apo vitin e kaluar , përgjegjësish gjatë këtij mandati qeveritarë. Qeveria e Kosovës të dy partitë e koalicionit, ndonëse kishin dhënë premtime shumë të mëdha për krijimin e vendeve të punës, në fakt kanë dështuar plotësisht ta bëjnë këtë dhe gjithë politikën vendore e kanë sjellë rreth dialogut me Serbinë , marrëveshjen nga të cilën ne si qytetarë vetëm kemi pësuar humbje por nuk kemi pa asnjë përfitim deri më tani“, tha Pantina.

Ndërsa, Muhamet Mustafa, kryetar i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik nga LDK, tha se ka lëvizje pozitive në aspektin e uljes së papunësisë. Ai po ashtu tha se nëse rritet norma ekonomike 5 për qind këtë vit ajo do të ndikoj edhe në uljen e papunësisë.

 

Na po shohim që kemi disa lëvizje pozitive në uljen e papunësisë . Sipas të dhënave të statistikës por në përgjithësi problemi i papunësisë ende mbetet një problem serioz. Sivjet pritet që të jetë rreth 5 për qind , sipas vlerësimeve të fundit të Qeverisë, nëse hymë në zonën e rritjes ekonomike 5 për qind e më shumë , atëherë do ti afrohemi asaj që ka qenë programi i qeverisjes së LDK-së që të hapen diku 25 mijë vende të punës vjet dhe me 5 mijë vende të punës lëshohen nga pensionistët 30 mijë vende fillon një proces më domethënës i uljes së papunësisë. Natyrisht që statistikat e punësimit ende nuk i kemi të plota por në përgjithësi mund të shihet se është një trend pozitive edhe pse ende ka një popullsi pasive që as nuk punon e as nuk paraqitet në zyra të punësimit. Por me metodologjinë e organizatës botërore të punës ne kemi një nivel të tillë të papunësie sipas atij definicioni”, th a Mustafa

Ndryshe Kosova në çdo raport ndërkombëtarë konsiderohet si vendi me papunësi më të lartë dhe varfëri të lartë. Po ashtu përllogaritet që numri i qytetarëve që janë shpërngul jashtë gjatë vitit 2014 dhe 2015-të arrin në mbi 100 mijë e që mund të jetë faktori kryesor për uljen e papunësisë. /KosovaPress/