Aktuale

Shmangia nga tatimi, bastiset një lokacion në Ferizaj

Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot ka bastisur një lokacion në qytetin e Ferizajt, nën dyshimin për evazion fiskal, me ç’rast janë sekuestruar disa pajisje dhe dokumente.

Në njoftim thuhet se Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka qenë duke zhvilluar hetime për dyshimin e shmangies tatimore ndaj një personi, i cili është pronar i një subjekti tatimor dhe i cili dyshohet për lëshimin e faturave me transaksione fiktive, si dhe ndërmjetësime mes subjekteve.

Gjatë bastisjes në cilësinë e provave janë sekuestruar disa dokumente dhe pajisje, si tre laptopë, një telefon, 7 kartela bankare, vula e subjektit, një kopje e letërnjoftimit të një personi tjetër, një gjendje e përgjithshme e ATK-së për një subjekt tjetër, një kopje e gjendjes së bankës për një person tjetër, marrëveshje, fatura, si dhe dokumentacione tjera financiare.

Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë, bazuar nga provat e siguruara.

ATK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800.