Aktuale

Shoqatat në SHBA: Mos ratifikoni marrëveshjen me Malin e Zi

Shoqata Rugova me seli në New York dhe komuniteti Shqiptaro Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u drejton publikisht këtë letër dhe kërkesë deputetëve të Parlamentit të Republikës së Kosovës.

Komuniteti Shqiptaro Amerikan në një letër publike, ka shkruar se me shqetësim të madh përcjellë situatën e fundit të krijuar lidhur me kufirin Kosovë-Mali i Zi, pikërisht rreth ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin kufitar.

“Kërkojmë nga Kuvendi dhe deputetët e Republikës së Kosovës që të mos ratifikojnë marrëveshjen e cila i dëmton trojet Shqiptare. Jemi kundër çdo pazari të bërë me tokat tona. Jemi në një kohë kur duhet të tregoheni sa më vigjilent dhe t’i leni me një anë politikat ditore. Shpresojmë dhe besojmë që do mbaheni mend ndër gjenerata si legjislativ i cili nuk ratifikon çfarëdo marrëveshje që dëmton trojet Shqiptare” thuhet në këtë letër publike në emër të Shoqatës Rugova, Federatës Pan Shqiptare VATRA, Mark Gjonaj, Asambleist i Shtetit të New Yorkut, Lidhjes Qytetare Shqiptaro Amerikane, Batalionit Atlantiku, Këshillit Shqiptaro Amerikan, Shoqatës Malësia e Madhe, Fondacionit Plavë e Guci, Shoqatës Atdhetare Dibra, Shoqatës Shqiptaro Amerikane Ana e Malit, Shoqatës Peja, Shoqatës Drenica, si dhe Komunitetit Shqiptaro Amerikan Hasan Prishtina, CT./KosovaPress/