Aktuale

Shpërndarja e 20 përqindëshit, miratohen listat e punëtorëve për 4 ndërmarrje

Bordi i Drejtorëve i Agjencisë Kosovare të Privatizimit ka aprovuar sot listat finale të punëtorëve për 20 % për publikim dhe shpërndarje të mjeteve për katër ndërmarrje shoqërore “Barnatorja e Gjakovës”, Kooperativa Bujqësore Leshani, Enti për Urbanizëm dhe Projektim Enginieering Prishtinë” dhe Stacioni i Veterinës Shtërpcë.

Në takimin e sotëm Bordi i Drejtorëve diskutoi për valën e fundit të shitjeve të aseteve të ndërmarrjeve në likuidim me nr.34 dhe aprovoi transaksionet e aseteve që ishin për shitje në tenderin publik, ndërkohë që aprovoi edhe listën me prona që do të tenderohen me shitje të aseteve nr.37 si dhe depozitat e tyre.

Po në këtë mbledhje Bordi miratoi edhe raportet e shpërndarjes së përkohshme për kreditorët e katër NSh-ve në likuidim “Talinoc”, “Sharr”, “Peja Turist”, “Zhupa”, në shumën prej 42,090.17 euro.

Bordi po ashtu miratoi dy raportet rekomanduese të Komisionit për shqyrtimin e aseteve me karakter specifik ku me këtë rast u dha drita e gjelbër që të vazhdohet me negociata direkte për lëndët e trajtuara në këto dy raporte dhe në fund të procesit raporti përfundimtar të sillet përsëri në Bordi për trajtim dhe miratim.

Bordi diskutoi për procesin e përcaktimit të statusit të ndërmarrjeve dhe pronave që konsiderohen në pronësi shoqërore dhe kërkoi nga menaxhmenti që të intensifikojë përpjekjet, në mënyrë që sa më parë që është e mundur të përfundojë ky proces me rëndësi.

Agjencia, me kërkesë të Bordit, do të shfrytëzojë mundësitë përmes publikimeve në media brenda dhe jashtë Kosovës për të kërkuar dëshmi në lidhje me statusin e subjekteve juridike. Në këtë mbledhje si ndërmarrje shoqërore me vendim të Bordit u përcaktuan ndërmarrjet “Sharrdrvo-export” Shtërpce, dhe “Kooperativa Bujqësore Zadruga” Osojan, Istog.

Ndërkohë, u diskutua edhe për qiradhënie të pronave të ndërmarrjeve shoqërore, dhe në këtë kuadër Bordi aprovoi disa qiradhënie direkte të aseteve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim dhe disa qiradhënie të pompave të benzinës të shpallura përmes shpalljes publike më 7 qershor 2017.

Bordi po ashtu miratoi raportin me shtatë kërkesa të Komisionit për shitjen e banesave në pronësi të ndërmarrjeve shoqërore tek shfrytëzuesit e tyre, sipas Ligjit në fuqi, proces ky i rëndësishëm për përmbylljen e likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore.