Sport

Shqipëri – Spanjë, FSHF nuk i jep biletë ish yllit të saj (Foto)

Sokol Kushta, ish ylli i Kombëtares shqiptare, është injoruar keq nga dretjursit e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Sokol Kushta i ka shënuar golin e fundit Spanjës në ndeshjen e vitit 1993 kur Shqipëria humbi 1-5. Ai së bashku me Lefter Millon udhëtuan me paratë e tyre nga Greqia deri në Tiranë për ta luajtur atë ndeshje, por sot legjenda vlonjate nuk ka asnjë biletë për të parë ndeshjen në stadium.

Unë kam ardhur për gjithë natën me makinën time bashkë me Lefter Millon, me lekët tona, në mënyrë që të ishim prezentë në Tiranë. Sot ndeshjen prapë e shikoj me lekët e mia. Këto janë kujtimet e mia. Kam luftuar me dinjitet në Greqi si i vetmi shqiptar, jo vorio-epiriot që të nderoja vendin tim dhe sot nuk marr dot një biletë… Kur m’u lutën tek Olimpiakosi të luaja si vorio-epiriot, nuk pranova si nacionalist që jam. Çfarë fitova nga vendi im?! As një biletë dhe kjo që po them është figurative”, ka deklaruar Kushta për ‘Panorama Sport’

“Realiteti është se nuk fitova asgjë, përveç respektit të njerëzve kudo që vete. Kjo nuk është vetëm për mua. Të gjithë shokët e mi bashkë-lojtarë të Kombëtares këto fjalë thonë, këto gjëra ndiejnë. Presidenti e filloi mirë me kampionatin europian. Bravo, se të gjithë e meritojnë se kanë dhënë për Kombëtaren, por duhet ta vazhdojë që ne të jemi gjithnjë në raporte të tilla respekti. Nga ne futbolli nuk humbet, qoftë dhe 100 bileta falas, por fiton shumë”, ka theksuar ai.

Shqipëria ndeshjen e fundit me Spanjën e ka luajtur në vitin 1993. Këtë takim kuqezinjtë e kishin humbur me rezultat 1:5, derisa golin e vetëm për Kombëtaren e ka realizuar pikërisht Sokol Kushta.

“Unë në atë ndeshje i kam shënuar një gol nga 40 metra Spanjës dhe kam qenë kapiten. T’i shënoje Andoni Zubizarreta ishte pak e vështirë dhe prandaj golat me të tilla ekipe kanë vlera të mëdha individuale”, ka thekuar ai.