Aktuale

Shqiptarët e veriut nën mëshirën e Zotit!

Organizata ‘Këshilli i Veriut’ e përbërë nga pesë përfaqësuesit e lagjeve të banuara me shqiptarë në veri të Mitrovicës, ka shprehur shqetësimin e saj për gjendjen tejet të rëndë të këtyre banorëve në atë pjesë të vendit.

Përfaqësuesit e kësaj organizate gjatë një konference për media të mbajtur të shtunën afër urës së Ibrit, kanë kërkuar nga institucionet vendore dhe faktori ndërkombëtar që të merren seriozisht me kërkesat e tyre.

Nazmi Ismajli, kryetar i “Këshillit të Veriut” ka përmendur problemet e shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët në veri, si në aspektin ekonomik, social, të ndërtimit të shtëpive, por edhe pastrimin etnik që po iu bëhet atyre në atë pjesë. Sipas tij, shqiptarët e asaj pjese kanë mbetur nën mëshirën e Zotit.

 

“Gjendja ekonomike në veri është shumë e rëndë. Në veri nuk ka ndërtime që tre vite, derisa serbët ndërtojnë, shqiptarët nuk ndërtojnë asgjë. Ne kemi mbetur nën mëshirën e Zotit”, ka thënë Ismajli.

Në emër të ‘Këshillit’ ka folur edhe Gani Hysenaj, përfaqësues i ‘Kodrës së Minatorëve’. Ai  përveç tjerash potencoi çështjen e papunësisë si problemin kryesor më të cilin po ballafaqohen shqiptarët atje.

 

“Në lagjen ‘Kodra e Minatorëve’ nuk e kemi pothuajse asnjë të punësuar. Kemi njerëz që pret me vdekur dikush, me çel një varr për t’i marrë 25 euro për të mbijetuar…E kemi një shkollë e cila është ende barakë që 17 vite, ndërsa, komuna e veriut nuk donë me ndi për shkollën në veri…Në atë shkollë ka vetëm nxënës shqiptarë, janë diku rreth 23 nxënës dhe çdo ditë e më shumë numri i tyre pakësohet për shkak të kushteve ekonomike që i kemi”, theksoi Hysenaj.

Në anën tjetër, Fevzi Beqiri, përfaqësues i ‘Lagjes së boshnjakëve’, ka kritikuar përpjekjet e kryetrit Bahtiri për heqjen e sheshit ‘Adem Jashari’ që ka ndodhur ditë më parë.

Sipas tij, sheshi ‘Adem Jashari’ është i vetmi që simbolizon jetesën e shqiptarëve në atë pjesë, ndërsa, ka përmendur edhe nevojën për kthimin e shqiptarëve në banesat dhe pronat e tyre, si dhe ndërtimin e xhamisë së Ibrit.

Situatën e përgjithshme në veri, ai e ka quajtur si një bombë të kurdisur e cila mund të shpërthejë çdo moment.

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me vizitën e kryenegociatores Edita Tahiri dhe kryetarit të Mitrovicës, Agim Bahtiri, që i kanë bërë ditë më parë njërës prej kafiterive në veri të qyteti, Beqiri tha se vizitat e tilla janë vetëm spektakël dhe marrëveshje mes politikanëve sa për të qëndruar në pozitat e tyre.

 

“Ai shesh nuk bënë me u largu, sepse i vetmi që simbolizon shqiptarët është sheshi ‘Adem Jashari’…Ne kërkojmë që banorët shqiptarë të cilët i kanë banesat e uzurpuara nga kriminelët serbë, të kthehen në veri. Ato nuk janë pak, por mbi 500 banesa janë të okupuara…Kërkojmë si Këshill i veriut’ që xhamia e cila ka qenë e djegur nga forcat kriminale serbe të ndërtohet…Veriu është një bombë e kurdisur në përgjithësi për të gjithë banorët, shqiptarë, boshnjakë, ashkalinj, romë, turqë…Atë natë  kafiteria ‘Dolce Vita’ është djegur dhe në mënyrën më arrogante serbët duke thënë se kanë ardhur shqiptarët na kanë prishur kafiterinë… Duhet ajo të vij aty dhe konkretisht të bisedojë me banorë, e jo me bë filma dhe me dal me ikë …Edhe për Editën edhe për Agimin, kjo vlen për të gjithë…Ne të vijnë qeveritarët ne t’i bien familjet me jetu në veri dhe të shohin çfarë gjendje është dhe jo me dhënë deklarata e me marrë vendime në favor të tyre, për me qenë ata nëpër poste, ndërsa, ne të hjekim atje, kjo është e padrejtë”, ka thënë Beqiri.