Si ta kuptosh që rënia e flokëve është sezonale?

Rënia e flokëve në vjeshtë është një problem shqetësues, jo vetëm i femrave, por edhe i meshkujve. Por si mund ta kuptosh që kjo rënie është sezonale dhe si rrjedhim, jo edhe aq shqetësuese.

Rënia e flokëve në këtë stinë është e ngjashme me rënien e gjetheve të vdekura të pemëve. Pra, edhe flokët bien, sepse përsërisin ciklin e tyre të përvitshëm (lindja e një floku të ri, rritja, faza e maturimit dhe vdekja).

Këtë proces e përshpejton një faktor kryesor: dielli. Kështu, gjatë pranverës dhe verës, rrezet e diellit rrisin sekretimin e hormoneve përgjegjëse për rritjen e flokut dhe shkaktojnë një reaksion të ngjashëm me atë të bimëve.

Një periudhë prej gati 4-6 javësh mund të fillojë në fund të gushtit dhe të zgjasë deri në fund të nëntorit. Pas kësaj periudhe, gjithçka kthehet në normalitet.

Por norma e rënies së flokëve ndryshon nga një person tek një tjetër, ndaj është e rëndësishme të kuptosh, nëse kjo rënie është sezonale apo duhet të shqetësohesh e të konsultohesh me mjekun për të marrë trajtimin e duhur.

Si ta kuptosh që është thjesht një rënie sezonale?

Për të kuptuar nëse është vetëm një rënie sezonale, bëj këtë test të thjeshtë:
Mbaji flokët të palarë, të paktën për tri ditë. Kalo gishtat midis flokëve nga rrënja deri në majë. Vëri mënjanë flokët e rënë. Përsërite këtë veprim të paktën pesë herë, duke e kaluar dorën tek të gjitha pjesët.

Rezultati:

– Nëse në total të kanë rënë më pak se 10 fije floku, gjithçka është brenda normales.
– Nëse të kanë rënë gjithsej 10-15 fije, nuk është thjesht një rënie sezonale, prandaj duhet të marrësh një trajtim shtesë me vitamina.
– Nëse të kanë rënë më shumë se 15 fije, duhet të bësh patjetër një trajtim specifik për të parë nga se të shkaktohet kjo rënie.

Trajtimi për rënien sezonale

Para se të marrësh një trajtim, fillimisht duhet të bësh këtë test të thjeshtë (ose të konsultohesh me mjekun), për të kuptuar në ç’nivel të rënies së flokëve je.

Trajtimet e flokëve nuk veprojnë në mënyrë specifike tek flokët që bien, sepse ato tashmë janë të vdekur dhe rënia e tyre është e pashmangshme, por ato ndikojnë në rritjen e flokëve të rinj për t’i rikthyer densitetin normal.

Megjithatë, ke parasysh që jo gjithçka duhet justifikuar me sezonin e vjeshtës. Për flokët duhet të kujdesesh si për çdo pjesë tjetër të trupi.

Lyerja me bojëra me kimikate të ndryshme, tharja dhe krehja në temperaturë maksimale, kequshqyerja etj., janë faktorë të jashtëm, të cilët ndikojnë në dëmtimin dhe rënien e flokëve.

Në të tilla raste, përdor sa më shumë maska me produkte natyrore, si p.sh maska me vezë dhe vaj ulliri, 30 minuta para larjes, do të të ndihmojë shumë për eliminimin e rënies.