Si të jetë shembull qeverisja lokale

PhD. Candidat. Xhevahire Krasniqi – Podvorica

Njësitë e vetëqeverisjes lokale, ose si jemi mësuar t’i quajmë Komunat, janë njësi administrative, politike e organizative tejet të rëndësishme ngase merren ekskluzivisht dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë me çështjet të cilat i tangojnë banorët, me rregullimin e jetës së tyre dhe me çdo gjë tjetër që ka të bëjë me mirëqenien dhe standardin jetësor.

Nisur nga sa u tha më lart, del se njësitë komunale luajnë një rol të rëndësishëm dhe të domosdoshëm duke ndikuar në cilësinë e jetës së banorëve të vet, me avansimin e shumë veprimtarive të cilat lidhen ngushtë më përditshmërinë e tyre dhe me çështje të cilat kanë një rëndësi jetike për ta. Por, kjo nuk është gjithmonë kështu; kjo vlen vetëm atëherë kur administrata komunale, (lexo: udhëheqja e saj e ngushtë), është në nivelin e duhur të detyrës dhe kur ajo punët i kryen me përkushtim, me profesionalizëm, me nderë dhe me kompetenca tjera politike dhe shoqërore. Për fat të keq, udhëheqësi të këtilla, këtu në Kosovën e re, në Kosovën e pasluftës, gjejmë pak.

Kjo për shkak të shumë faktorëve të cilët unë kësaj radhe, për hir të momentit politik, që do të thotë për shkak të fushatës parazgjedhore, e cila është në kulmin e saj, nuk do t’i numëroj. Gjithsesi, këta faktorë negativë dhe këto veprimtari devijonte, të cilat po e rëndojnë jetën e qytetarëve tanë, janë dhe sipas të gjitha gjasave edhe një kohë të gjatë do të mbeten si një ndër faktorët dominues të cilët po e pengojnë zhvillimin e mirëfilltë të vendit tonë dhe integrimin e saj në familjen e vendeve me një demokraci më të etabluar dhe me një zhvillim ekonomik, kulturor, arsimor etj. më cilësor.

Përskaj kësaj, tani, për fat të mirë, është edhe një numër tjetër i komunave të cilat, falë organizimit të mirë dhe njerëzve kompetent e me moral të lartë që i udhëheqin, kanë arritur që gjatë kësaj periudhe prej kur Kosova u çlirua nga okupimi shumëvjeçar, të ndërtojnë marrëdhënie shumë cilësore ndërnjerëzore dhe të rregullojnë të gjitha sferat tjera të jetës së qytetarëve të saj deri në atë nivel të lakmueshëm, që të gjithë të tjerët t’ua kenë lakmi. Dhe një gjë e këtillë nuk ka qenë as e lehtë, as e menjëhershme. Megjithatë, falë një tradite të gjatë të ngritjes së moralit shtetformues dhe dashurisë së pashoq ndaj vendit dhe njerëzve në përgjithësi, duke kujtuar edhe sakrificën që breza të tërë shqiptarësh kishin bërë për këtë truall, ata ia dolën me sukses dhe me nderë.

Ndër komunat e Kosovës, të cilat kanë dalë sipas organizimit të fundit territorial, Komuna e Podujevës dallon, mos të themi prinë për nga shumë organizmin të përkryer dhe për një administrim sa me nikoqirllëk po aq edhe me nder.

Të dhënat, e mbledhura nga burime të ndryshme dhe shumë relevante, nga bisedat e shumta me qytetarët sikur edhe nga vështrimet në teren, duke qenë edhe vetë dëshmitarë të këtyre ndryshimeve të mëdha, lë të kuptohet se kjo komunë, ngadalë por sigurte është shndërruar në model të qeverisjes së mirë komunale, përfshirë këtu sa rregullimin infrastrukturor po aq edhe rehabilitimin e avancimin e rrjetit të shkollave e kopshteve për fëmijë, zhvillimin e kultivimin e veprimtarive me karakter shoqëror e kulturor, avancimin e të drejtave të grave, të minoriteteve, të njerëzve në nevojë, ruajtjen e ambientit dhe pastërtisë së mjedisit dhe shumë fusha tjera, mbi të cilat me dekada nuk ishte vënë dorë.

Podujeva shtrihet në veri-lindje të Kosovës. Si qytet i vjetër i Kosovës, e kufizuar në veri-lindje me Republikën e Serbisë, në një vijë kufitare pothuajse në tërë gjatësinë e saj, Podujeva, gjatë sistemit monist ishte e lënë krejtësisht pas dore, në mëshirën e administratës së atëhershme, duke marrë imazhin e një qyteze të parëndësishme dhe pa ndonjë ndikim të madh në rrjedhat shoqërore të kohës.

Gjatë viteve të luftës, Podujeva pësoi dëme të mëdha, si në njerëz ashtu edhe në infrastrukturë. Prona publik dhe ajo private-familjare, ose u shkatërrua tërësisht, ose u plaçkit tërësisht.

Llapjanët u organizuan dhe në vitet 90-ta dhe ndanë mjete për të mbajtur gjallë arsimin dhe shëndetësinë. Gjithashtu kontribuuan në veprimtaritë atdhetare dhe iu bashkangjiten dhe përkrahën luftën për çlirimin e vendit.

E përbërë prej 78 fshatrave relativisht të mëdha dhe të shpërndara nëpër terrene kryesisht kodrinore-malore, Komuna e Podujevës shtrihet në një sipërfaqe prej 633 km2, ndërsa është e populluar me rreth 100.000 banorë kryesisht shqiptarë. Popullata serbe e pranishme në trevën e Llapit, e paktë në numër, pas luftes së fundit u shpërngul në Serbi kryesisht për arsye ekonomike ndërsa një numër i konsiderueshëm i tyre edhe për shkak të involvimit në aktivitetet luftarake, përkrah bandave ushtarake e paramilitare serbe. Minoritetet e tjera të pranishme në Komunën e Podujevës dhe në fshatrat për rreth janë të komunitetit ashkali (sipas shënimeve, në vitin 2012 në Podujevë kishte 1.021 ashkali-romë që përkthyer në përqindje, prezenca e tyre llogaritet në rreth 0,7% e popullatës së përgjithshme).

Komuna e Podujevës e ka një infrastrukturë mjaft të zhvilluar rrugore dhe të kanalizimit në qytet dhe fshatra.

Gjatë viteve të fundit, në Komunën e Podujevës janë shtruar rreth 370 kilometra rrugë me asfalt, kurse edhe shumë rrugë të tjera mirëmbahen dhe trajtohen nga buxheti i komunës.

Shumë rrugë janë rregulluar, sipas standardeve bashkëkohore, me trotuare dhe ndriçim publik.

Rrjeti i ujësjellësit dhe kanalizimit është shtrirë në pjesën më të madhe të fshatrave duke ndikuar kështu edhe në cilësinë e jetës së qytetarëve, por edhe në ruajtjen e vetë shëndetit të tyre.

Dy kompani për grumbullimin e mbeturinave, operojnë jo vetëm brenda qytetit por edhe në fshatra. Në këtë mënyrë pjesa më e madhe e vendbanimeve tashmë janë të përfshira në grumbullimin dhe bartjen e mbeturinave..

Banorët e Podujevës gjithmonë kanë qenë dhe kanë mbetur arsimdashës. Janë ndërtuar dhjetëra shkolla të reja të pajisuara me mjete moderne mësimore, ambiente dhe laboratorë. Janë ndërtuar salla dhe terrene sportive. Krejt këto, jo vetëm që nivelin e arsimit, kulturës e sportit e ngritin në rrafshe krejtësisht tjera, por në përgjithësi e fisnikërojnë shpirtin e mendjen të këtyre banorëve fisnik e bujarë.

Kështu, tani në gjithë territorin e Komunës së Podujevës funksionojnë 36 shkolla fillore, tri shkolla të mesme, një çerdhe publike dhe katër private. Për përfshirjen e fëmijëve të grupmoshave parashkollore, administrata aktuale e Komunës së Podujevës është kujdesur që nëpër të gjitha shkollat fillore të hapë klasë të posaçme për ciklin para fillore për të cilat kujdeset një personel profesional, në ambiente të përshtatshme dhe të pajisura me mjete të nevojshme për punë dhe për argëtimin e fëmijëve. Në kuadër të shkollës “Kongresi i Manastirit” ne Gllamnik funksionojnë klasat për fëmijë me nevoja të veçanta, kurse qendra e Autizmit funksionon në shkollën “Ibrahim Rugova”. Nëpër të gjitha këto institucione arsimore e edukative punojnë arsimtarë, profesorë e edukator profesional, me shkollim adekuat, në mjedise tejet të përshtatshme, të rregulluara e meremetuara sipas standardeve bashkëkohore ndërsa janë të administruara prej njerëzve të përgjegjshëm dhe me një përvojë të madhe në fushën e arsimit.

Edhe në pjesën, e cila ekskluzivisht merret me avancimin e proceseve të kulturës, Komuna e Podujevës ka bërë hapa të konsiderueshëm, edhe pse e gjendur në një situatë tepër të rënduar pas luftës çlirimtare të fundshekullit të kaluar. Bandat serbe, të vetëdijshme për potencialin arsimor e kulturor të banorëve të kësaj ane, një numri të madh të bibliotekave, mbi 10 sosh, ua vuri zjarrin, duke djegë kështu një fond shumë të madh librash me vlera të mëdha.

Komuna e Podujevës ka bërë investime të mëdha sidomos në sferën e bujqësisë. Falë subvencionimeve të fermerëve Podujeva është bërë brend i mjedrës. Tashmë në territorin e Komunës së Podujevës janë të mbjella mbi 1000 hektarë me këtë kulturë të perimtarisë së imtë. Gjithashtu janë subvencionuar edhe sektorë të tjerë të bujqësisë, blegtorë e bletarë.

Aktualisht, bibliotekat e mbetura, janë furnizuar edhe me tituj të ri librash, jo vetëm për nevojat e rinisë shkollore e universitare por edhe për nevojat e qytetarëve të shumtë. Edhe teatri i qytetit, falë pasionit të punëtorëve të tij dhe përkrahjes nga administrata aktuale e Komunës, në vazhdimësi ka arrit rezultate të mira me projekte e shfaqje brenda dhe jashtë Kosovës. Ky teatër, tanimë është profesionist, duke marrë emrin e aktorit të madh llapjan Avdush Hasani, dhe është krenaria e qytetit dhe e gjithë Llapit.

Jetën kulturore në Llap e begaton Shoqërinë Kulturore dhe Artistike “Josip Rela”, e cila funksionon tanimë vite me radhë.

Edhe jeta sportive është mjaft e begatë, me klube sportive në shumë sporte. Për nevojat e klubeve sportive janë në dispozicion disa objekte sportive: stadiumi i futbollit “Zahir Pajaziti”, palestra e sporteve “Hakif Zejnullahu” dhe terrene të hapura sportive në qytet dhe fshatra. Këto objekte sportive shfrytëzohen nga dhjetëra klube sportive dhe shkollë të futbollit dhe sporteve të tjera, por edhe për rekreacion nga të rinjtë.

Investime të mëdha janë bërë edhe në infrastrukturën shëndetësore. Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Podujevë, tri qendra të mjekësisë familjare dhe rrejti i ambulancave, bashkangjitur këtu edhe shërbimet e nevojshme laboratorike e të tjera ofrojnë përkujdesje mjekësore primare për banorët e komunës së Podujevës. Ambulancat stomatologjike, kryesisht private janë në nivele të standardeve bashkëkohore dhe profesionale në ushtrimin e profesioneve të tyre në këtë fushë.

Është turizmi, kryesisht rural që ka ndikuar edhe në ekonominë e bizneseve të vogla e familjare. Liqeni i Batllavës dhe ajri i pastër, ushqimet bio dhe cilësore, pastaj vendkalimi Merdar prej ku hyjnë numri më i madh i mërgimtarëve dhe qarkullojnë mallrat për tregtimin e lirë në mes vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë bërë Podujevën vend atraktiv dhe të përshtatshëm për të investuar dhe për të projektuar të ardhmen e tyre shumë bashkëvendas tanë.

Komuna e Podujeves është model i një njësie të vetëqeverisjes lokale për shërbimet e mira, cilësore dhe transparente që ofron për qytetarët e saj. Me një numër adekuat të punësuarish, të ndarë nëpër drejtori e sektorë, me një ngritje profesionale e morale çfarë duhet të ketë një qendër komunale bashkëkohore, qytetarët e kësaj ane i realizojnë nevojat e tyre në mënyrë efikase, shpejt dhe në mënyrë transparente, pa vonesa dhe pa keqpërdorime. Mu kjo transparencë dhe ky efikasitet në punë, këtë njësi administrative e kanë bërë model prej ku janë bazuar edhe njësi tjera simotra në Kosovë.

Ajo që bie në sy për mbarësinë e Komunës së Podujevës, është edhe përfaqësimi adekuat gjinor në administratë dhe nëpër institucione tjera publike duke ndikuar kështu në avancimin e dukshëm të të drejtave të femrës dhe afirmimin e vlerave familjare e morale te ne. Këto veprime dhe këto vendime të kryera nga ana e administratës komunale dhe vetë udhëheqjes së saj, kanë ndikuar edhe në marrëdhëniet e mira ndërnjerëzore e ndërinstitucionale të cilat në të vërtetë janë edhe parakusht i një qeverisjeje të mirë dhe të një liderizmi cilësor çfarë nuk është parë më parë.

Llapi, si një trevë e cila ka qenë gjithmonë mur i pakalueshëm për bandat çetnike të shumta dhe të njëpasnjëshme që vinin nga veriu, ka ditë dhe ka arrit t’iu bëjë ballë sulmeve dhe të këqijave të njëpasnjëshme. Kjo falë natyrës dhe karakterit të fortë të banorëve të kësaj ane. Burrëria e cila i ka karakterizuar gjithmonë, trimëria e dëshmuar, shpirti fisnik i kalitur ndër shekuj, mikpritja tradicionale sikur edhe dashuria ndaj atdheut e gatishmëria për tu flijuar për të, kanë qenë burim frymëzimi për shumë artistë e historian të ngjarjeve të mëdha. Llapi gjithmonë ka lindur dhe ka dhënë për vendin e kombin burra shteti, luftëtarë të paepur sikur edhe artistë e sportist cilësor të cilët kanë bërë emër edhe jashtë vendit.

Nisur nga këto cilësi, nga kjo traditë dhe ky karakter i fortë i banorëve të Podujevës me rrethinë, edhe administrata komunale viteve të fundit ka qenë në koherencë dhe në harmoni të përhershme me këto dhunti dhe këto të mira që iu ka falur Zoti e natyra, duke respektuar ato dhe duke ndihmuar që të ruhen e avancohen edhe më tej.

(Autorja është doktornate në Universitetin shtetëror “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup)