Rajon & Botë

Siri: Rrëzohet helikopteri rus, pesë të vdekur

Një helikopter i ushtrisë ruse është rrëzuar sot në provincën Idlib të Sirisë, duke lënë të vdekur pesë persona sa ishin në bord.

Provinca Iblid është nën kontrollin e rebelëve sirianë, ndërkaq autoritetet ruse kanë thënë se humbja e pesë personave sot është humbja më e madhe që kur ky shtet ka filluar sulmet ajrore në Siri, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në pamjet e publikuara nëpër rrjetet sociale shihet se si njerëzit vjedhin çdo gjë që gjejnë në vendin ku është rrëzuar helikopteri. Madje, njërit prej të vdekurve i hiqen rrobat, ndërkaq edhe dokumentet e identitetit të gjithë personave që ishin në bord të helikopterit u janë marrë.

Ministria e Mbrotjes e Rusisë ka njoftuar se helikopteri Mi-8 kishte transportuar ndihmë humanitare në qytetin Aleppo dhe në rrugën e kthimit është qëlluar dhe rrëzuar, shkruan Gazeta Express.

“Informacionet që kanë arritur në ministrinë tonë thonë se të gjithë personat në bord kanë vdekur, kanë vdekur në mënyrë heroike”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Deri më tani askush nuk ka marr përgjegjësinë për këtë sulm. Luftëtarët e Shtetit Islamik nuk janë shumë aktiv në këtë zonë por grupe të tjera të ekstremistëve islamikë gjenden në këtë zonë.