Aktuale

S’ka datë për kartonin e gjelbër

U paralajmërua vit pas viti, por kartoni i gjelbër nuk po dihet se kur do të vijë përfundimisht në Kosovë.

Edhe pse çmimi i policës së sigurimit kufitar është liruar për 50%, ai vazhdon të jetë i bezdisshëm për mërgimtarët, raporton KTV.

Një reagim i dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje në Zvicër prishi marrëdhëniet mes kryetarit të Këshillit të Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Rrahim Pacolli dhe vëllait të presidentit Thaçi, Gani Thaçi. Ky i fundit ishte një nga personat themelues të BKS-së.

Vetëvendosje i kishte akuzuar për zhvatje që sipas një përllogaritje të bërë, ata kanë grumbulluar mbi 120 milionë euro.

Një reagim i tillë pritet t’i kushtojë me padi Vetëvendosjes. Rrahim Pacolli ka thënë se kjo do të jetë padia e dytë pas asaj të bërë ndaj njërit prej deputetëve të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës.

Por, Pacolli që në reagimin e tij kishte thënë se ai është diametralisht i kundërt me Gani Thaçin nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e këtij të fundit, por ka akuzuar qeverinë se nuk po i kryen detyrat e veta për të jetësuar kartonin e gjelbër.

Ai ka thënë se edhe më të dëmshëm do ta bëjë procesin nëse konkursi aktual për drejtor të BKS-së, finalizohet me një drejtor politik, andaj ka kërkuar nga BQK-ja që ta anulojë në tërësi procesin.

Pacolli ka kërkuar nga prokuroria të nisë hetimet në BKS për çdo dyshim të dalë në këtë drejtim.

Gani Thaçi, i cili në reagimin e tij kishte thënë se Rrahim Pacolli është njeri nga politika dhe që i njëjti fiton nga policat kufitare, të martën ka refuzuar të flasë.

I kontaktuar nga KTV-ja, Thaçi nuk ka pranuar të japë deklarata rreth akuzave dhe kundërakuzave. Ai ka thënë se i qëndron prapa letrës së dërguar mediave një ditë më herët.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës se primi i shkruar nga sigurimet kufitare në vitin 2015, ka qenë 10.2 milionë euro. Deri më 31 maj të vitit të kaluar fitimi nga sigurimet kufitare ka qenë 4.2 milionë euro, ndërsa deri më 31 maj të këtij viti ishte 1.8 milion euro.