Aktuale

S’ka marrëveshje të koalicionit për dialogun me Serbinë, Sherifi demanton raportimet

Koalicioni qeverisës nuk ka arritur asnjë marrëveshje që do t’i jepte dritën jeshile formatit të asaj se si do të duhej të zhvillohej dialogu Kosovë – Serbi, në fazën finale të saj, udhëheqës i së cilës me ngulm insiston të jetë vetë Presidenti Thaçi. Raportimet se partnerët e koalicionit kanë pranuar një kornizë dokument dhe më të cilin janë dakorduar të gjithë, demantohet nga Bilall Sherifi i Nismës. Kjo e fundit vazhdon të jetë kundër Thaçit në krye të dialogut.

Një takim i mbajtur sot në orët e paradites mes liderëve të koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Dardan Gashi, si dhe Hashim Thaçi, u tha se ka përfunduar me një pajtim për fazën finale të Dialogut Kosovë-Serbi dhe Ekipin Negociator.

Por, nga partia e Fatmir Limajt e quajnë të pavërtetë një gjë të tillë. Shefi i Grupit Parlamentar të Nismë Social Demokrate, Bilall Sherifi, tha për Gazetën Express se kushdo që takimet e partnerëve të koalicionit të cilat mbahen rregullisht në funksion të gjetjes se formulës për të krijuar një konsensus sa ma të gjerë politik, Pozitë-Opozitë i interpreton si arritje të marrëveshjes, sipas tij, gabon rëndë.

“Prandaj ajo që tani mund të ju them është se ne ende nuk kemi arritur te një marrëveshje e cila do te reflektonte konsensus sa ma të gjerë”, ka thënë Sherifi për Expressin.

Dokumenti i hartuar nga Kadri Veseli që synon t’i jap zgjidhje çështje së formatit të dialogut me shtetin serb përmban shumë pika, në mesin e të cilave edhe vijat e kuqe ndaj Serbisë.

Aty, konfirmohet se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duhet të jetë udhëheqës i fazës së fundit të dialogut dhe se këtë ia lejon edhe Kushtetuta.

Nisma e Fatmir Limajt nuk e sheh shefin e shtetit si person të duhur në krye të dialogut. Njësoj, qëndrim të ngjashëm e kanë edhe e gjithë opozita.

Ndërkaq, një takim i ardhshëm në mes të Thaçit dhe presidentit serb, Aleksander Vucic, është konfirmuar më 18 korrik./Express