Aktuale

S’ka të dyshuar për shpërthimin para burgut në Veriun e Mitrovicës

Një granatë dore ka shkaktuar një shpërthim mesnatën që lamë pas para Qendrës së Paraburgimit në veri të Mitrovicës.

Shpërthimi ka ndodhur para orës 01:00.

Lajmin për hedhjen e granatës para kësaj qendre e ka konfirmuar për Gazetën Express, zëvendëskomandant i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.
Ai tha se nga hedhja e mjetit shpërthyes nuk ka të lënduar, apo ndonjë ta arrestuar. Sipas Hotit në vendin e ngjarjes ka  dal policia dhe po i zhvillon hetimet e nevojshme.

“Shpërthimi ka ndodhur para orës 1 të mesnatës. Shpërthimi ka ndodhur para një objekti para qendrës së paraburgimit në veri të Mitrovicës. Fatmirësisht nuk ka lëndime në njerëz. Ekipet policore kanë dalur në vendin e ngjarjes për hetimin”, thotë Hoti.

Sipas tij në vendin e ngjarjes policia ka konstatuar se është hedhur një granatë dorë M75.

“Ekipet hetuese kanë konstatuar se aty është gjuajtur me një granatë dore M75. Për momentin nuk ka ndonjë të dyshuar. Policia është duke punuar në mbledhjen e provave të ndryshme. Rasti është iniciuar si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. për rastin është informua prokurori i shtetit”, ka thënë Hoti.