Sport

Solskjaer zbulon planet për pozitën e qendërsulmuesit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, u ka treguar Anthony Martialit dhe Marcus Rashfordit se pozita e qendërsulmuesit të “Djajve të kuq” për sezonin e ardhshëm do t’u takojë atyre të dyve me radhë.

Të dy sulmuesit – Anthony Martial dhe Marcus Rashford – e shënuan nga një gol në fitoren me rezultat 4:0 në ndeshjen miqësore të së mërkurës kundër Leeds Unitedit, si pjesë e turneut parasezonal të “Djajve të kuq”, transmeton Gazeta Express.

Trajneri Solskjaer ia ka provuar që të dy në pozitën e qendërsulmuesit gjatë dy ndeshjeve miqësore të turneut parasezonal në Australi, mirëpo ai thotë se ai është gati t’i përdorë ata edhe në krahë në sezonin e ardhshëm.

“Marcusi mund të luajë kudo në sulm. Nganjëherë atij i pëlqen të hyjë nga krahu i majtë, e njëjta vlen edhe për Anthonyn. Që të dy mund të luajë si nëntësh dhe 11-sh, por edhe si dyshe 9-10. Ata mund të luajë edhe në dy krahët, njëri në anën e djathtë, tjetri në të majtën”, ka thënë Solskjaer.

“Për mua, është e mrekullueshme të kesh sulmues që mund t’ua ndërrosh pozitat. Ata thonë: “Ai është në krahun e djathtë, kështu që unë po shkoj në krahun e majtë” apo “Ai është në mes, unë po shkoj në krah””.

“Nuk mendoj se mund t’ua caktojmë atyre vetëm një pozitë sepse ata janë futbollistë të mirë dhe mund të krijojnë hapësirë kudo që janë”.

Solskjaer shpreson se këta dy sulmues do t’i ndihmojnë Manchester Unitedit të arrijë më shumë suksese gjatë sezonit të ardhshëm, pasi që sezonin e kaluar “Djajtë e kuq” e mbyllën në pozitën e gjashtë në tabelën e Premierligës, duke mos u kualifikuar për në Ligën e Kampionëve. /Gazeta Express/

the authorBurbuqe Metolli