Arsim & Kulturë

Sonte nga ora 19.00 në “PITF 2018” do të jepet shfaqja nga Shqipëria “Shërbëtoret”

Sonte, në edicionin e dytë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Prishtinë, “Prishtina International Theater Festival” (PITF 2018), në teatrin ‘Faruk Begolli” në Kolegjin AAB, do të jepet shfaqja “Shërbëtoret” nga Shqipëria, nën regjinë e Kiço Londos dhe aktorëve Laura Nezha, Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri.

Shfaqja “Shërbëtorët”, e autorit Jean Genet, shtjellon ngjarjet e dy shërbëtoreve Solange dhe Claire, të cilat performojnë rituale sadomasokiste kur zonja e tyre (Madame) nuk është aty si dhe e përbashkëta e tyre është se që të dyja e urrejnë zonjën.

Në konferencën e sotme për media, regjisori Kiço Londo falenderoi Kolegjin AAB për mundësinë që ja u ka dhënë që të jenë pjesë e këtij festivali si dhe tregoi për veçantinë e kësaj shfaqje.

“E veçanta është që shfaqja jonë në dallim nga variantet tjera që kemi parë është që intriga paramendohet nga zonja. Zonja është personazhi i cili është tërë kohën në skenë dhe e paramendon intrigën dhe kur kthehet nuk bën gjë tjetër veç të imponohet dhe arrin të zbulojë “krimin e dy shërbëtoreve” përmes dekorit origjinal e cila tregon një përpjekje që mbytet”, u shpreh Kiço Londo.

Ndërsa, aktorja e njohur Laura Nezha tregoi për sfidat që i kalojnë për këtë shfaqje sa herë që performojnë si dhe tha se është fat për to që luajnë në këtë shfaqje.

“Rolet janë një sfidë e vazhdueshme, një sfidë që ne e konstatojmë sa herë të lëvizim për shfaqje nga një vend në vendin tjetër, qoftë për festivale apo në qytete të ndryshme që ka bërë xhiro sëfundmi, është nga këto pjesë që nuk mundemi asnjëherë të mbesim në stok, apo të fillojmë nga zero, sepse duhet te kapësh një model të tillë të këtij procesi, që duhet ta dërgosh edhe mëtej”, u shpreh aktorja e njohur Nezha.

Edhe dy aktoret e tjera të shfaqjes “Shërbëtoret” Dasara Xhangolli dhe Ilirda Bejleri u shprehën të kënaqura që janë pjesë e këtij festivali dhe konsiderojnë veten me fat që iu dha mundësia të performojnë në këtë festival.

Kujtojmë se sonte shfaqjen “Shërbëtoret” mund ta ndiqni nga ora 19:00 në teatrin “Faruk Begolli” në Kolegjin AAB./GazetaKNN/