Arsim & Kulturë

Sot nis Seminari i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

Sot hapet edicioni i 38-të i Seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, me ç’rast për disa ditë do të mblidhen në Prishtinë studiues të shumtë nga vende të ndryshme të botës.

Sipas drejtorit të Seminarit, Shkumbin Munishi edhe këtë vit interesimi i studentëve për të mësuar gjuhën shqipe është i madh. Po ashtu edhe një numër i konsiderueshëm studiuesish do të marrin pjesë në sesionet dhe tryezat shkencore.

Kurset e gjuhës që do të organizohen në kuadër të seminarit do të jenë në tri nivele, në nivelin e parë, të mesëm dhe atë të lartë. Përveç kurseve, në kuadër të aktiviteteve shkencore, Munishi thotë se do të ketë edhe ligjërata e tryeza të ndryshme që do të mbahen nga profesorë të ndryshëm e po ashtu do të ketë edhe referime shkencore.

Seminari do t’i zhvillojë punimet nga 19 deri më 30 gusht, ndërsa temat bosht të Seminarit për sesionet shkencore (29 – 30 gusht 2019) janë:

Gjuhësi: Struktura e shqipes aktuale
Letërsi: Si ëndërrohet në letërsinë shqipe
Kulturologji: Rrjetet sociale, politika dhe etika
Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë (atëherë: FakultetiFilozofik) të Universitetit të Prishtinës. Ky Seminar organizohet për studiues e studentë që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetë e shtatë sesione. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.