Aktuale

Spahiu: Christopher Hill e tha të vërtetën, Shqipëria s’e do bashkimin me Kosovën

Deklaratat e diplomatit amerikan Christopher Hill, të bëra dje në Tiranë, ku tha se Shqipëria nuk e do bashkimin me shtetin e Kosovës dhe se këtë siç ka thënë ai e ka kuptuar nga puna me të dyja palët i ka mbështetur edhe analisti politik i vendit, Nexhmedin Spahiu.

Christopher Hill, sipas Spahiut e ka thënë vetëm një të vërtet dhe se Shqipëria është e lumtur me pavarësinë e Kosovës, por jo edhe bashkimin me të.

“Kjo është më se e vërtetë, tjetër gjë është çfarë politikanët shqiptarë heshtin kur forcat politike ose njerëz publik në Kosovë flasin për bashkim me Shqipërinë. Dhe ata natyrisht  nga mirësjellja heshtin por kjo  nuk do të thotë që në biseda me diplomatë të huaj ata nuk e thonë atë të vërtetën atë  që nuk e duan  bashkimin me Kosovën”, shpjegon për lajmi.net analisti i vendit.

Nexhmedin Spahiu

Diplomati amerikan, që është edhe njohës i mirë i Ballkanit, u shpreh se Shqipëria nuk donte të ishte një vend me Kosovën. “E kuptova se ishin dy vende me të ardhmen e vet. Asnjëherë nuk shqetësohesha si të huajt e tjerë mbi krijimin e Shqipërisë së Madhe” ishin deklaratat e Hill, gjatë një interviste, për “Zërin e Amerikës”.

hill-1_1475575505-339046

Madje  se një gjë e tillë nuk mund të bëhet e thotë edhe Spahiu. Ai vlerëson se Shqipëria është krijuar me shumë mundim mbi bazën e shumë ekuilibrave të brishtë në mes të komuniteteve që jetojnë atje, komuniteteve fetare krahinore etj, dhe çfarëdo bashkimi me Kosovën, siç thekson ai, do ta rrezikonte seriozisht funksionimin e këtij shteti.

“Andaj edhe Shqipëria është e lumtur me pavarësinë e Kosovës dhe ajo e ka dhënë kontributin e saj që Kosova të jetë  e pavarur aq sa ka pasur mundësi të e jap këtë kontribut dhe çfarëdo tendence nga ana e Kosovës për bashkim me Shqipërinë mund të konsiderohet vetëm  si një sulm ndaj themeleve të shtetit shqiptar dhe kombit shqiptar. Andaj Hill e ka thënë vetëm të vërtetën”, shtoi ndër tjerash Nexhmedin Spahiu.

Christopher Hill ka qenë edhe ndërmjetësues në mes të bisedimeve Prishtinë- Beograd./Lajmi.net/