Rajon & Botë

“Starbucks” thotë se do të punësojë 10 mijë refugjatë

Pas vendimit të presidencës amerikane e cila ka pezulluar për 90 ditë hyrjen në SHBA të refugjatëve nga Siria dhe ka ndaluar hyrjen e qytetarëve nga shtatë vende muslimane, gjiganti amerikan e kafesë Starbucks ka njoftuar se brenda pesë viteve do të punësojë dhjetë mijë refugjatë në 75 shtete në të cilat zhvillon veprimtarinë.

Drejtori ekzekutiv i Starbucks Howard Schultz, në një letër drejtuar punonjësve të kompanisë, ka tërhequr vëmendjen se “Janë vënë në pikëpyetje vlerat e premtuara nga “Ëndrra Amerikane” dhe se jemi dëshimtarë “të një kohe të paprecedent”.

Duke theksuar se Starbucks do t’i dyfishojë përpjekjet për punësimin e personave të ikur nga lufta, dhuna, tirania dhe diskriminimi, Schultz është shprehur se “Brenda pesë viteve të ardhshme, do të punësojmë dhjetë mijë refugjatë në tërë botën”.

Schultz po ashtu ka potencuar se kompania do të vazhdojë investimet në Meksikë.