Arsim & Kulturë

Studentët dhe stafi i Fakultetit të Gjuhës Angleze shënuan 7 Marsin, Ditën e Mësuesit

Nën moton “Të festojmë duke mësuar”, stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Gjuhës Angleze në Kolegjin AAB, shënuan sot 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, me aktivitetin me temën “Sfidat e mësimdhënies dhe mësimnxënies së gjuhës angleze si gjuhë e huaj”.

Të ftuar në këtë tryezë ishin profesorë me ekspertizë në metodologjinë e mësimdhënies, respektivisht prof. Mirvan Xhemajli dhe prof. Xhavit Rexhaj, si edhe dy mësuese me përvojë të gjuhës angleze, alumni të programit master në Kolegjin AAB, Adella Rodiqi dhe Syzana Merovci.

Në fjalën e hapjes, dekanja e Fakultetit te Gjuhës Angleze, Prof. Aida Alla, u shpreh, ndër të tjera, se kjo ditë nuk është vetëm një ditë feste, por një ditë reflektimi për gjendjen aktuale të arsimit dhe se çfarë mund të bëjnë gjeneratat e reja të mësimdhënësve për ta përmirësuar cilësinë e arsimit në përgjithësi dhe atë të gjuhës angleze në veçanti.

Panelistët diskutuan mbi rolin dhe identitetin e mësimdhënësit dhe nxënësit, aplikimin e kurrikulave në shkolla, strategjitë bashkëkohore të mësimdhënies, si edhe sfidat dhe vështirësitë të cilat mësimdhënësit dhe nxënësit hasin ne përditshmërinë e tyre në auditore. Më tej aktiviteti vazhdoi me diskutime dhe pyetje nga studentët.

the authorBurbuqe Metolli