Arsim & Kulturë

Studentët e Kolegjit AAB i përgjigjen pozitivisht thirrjes për dhurimin vullnetar të gjakut

Stafi dhe studentët e Kolegjit AAB edhe këtë vit i janë përgjigjur pozitivisht aksionit vullnetar për dhurimin e gjakut që organizohet nga Qendra Kombëtare e Kosovës për Transfuzionin e Gjakut dhe në bashkëpunim me Fakultetin e Infermierisë në Kolegjin AAB.

Dhjetra studentë të Kolegjit AAB në kuadër të Ditëve të Infermierisë, i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për dhurimin e gjakut. Qysh në orët e mëngjesit u vërejt një gatishmëri e madhe e studentëve, stafit akademik dhe punonjësve të tjerë të AAB-së për të dhuruar gjak.

Dekani i Fakultetit të Infermierisë në AAB, Idriz Sopjani, falënderoi të gjithë studentët dhe stafin e AAB-së që edhe një herë treguan gatishmërinë e tyre për dhurimin vullnetar të gjakut. Ai gjithashtu përgëzoi studentët e Infermierisë, duke e vlerësuar këtë si një veprim të lartë njerëzor.

“Javën e Infermierisë ne po e shënojmë me shumë aktivitete dhe njera ndër to është edhe dhurimi i gjakut, ky aktivitet tregon empatin që kanë studentët e infermierisë si infermier të së ardhmes.Përveç kujdesit që ofrojmë pranë pacientit ne bëjmë përpjekje që në çdo formë t’ju shpetojmë jetën apo edhe t’ju krijojmë mundësi të shërimit përmes dhurimit tonë të gjakut” tha ai.

Aksioni humanitar i gjakut është tradicional dhe organizohet çdo vit nga Kolegji AAB në bashkëpunim me (QKKGJ), madje Kolegji AAB çdo herë ka shënuar edhe shifra rekorde të dhurimit të gjakut në Kosovë.

the authorBurbuqe Metolli