Arsim & Kulturë

Studentët e Komunikimit Masiv në AAB do të mund të studiojnë për një semestër në Norvegji

Fakulteti i Komunikimit Masiv në Kolegjin AAB në bashkëpunim me NLA University College në Norvegji ka fituar projekt mobiliteti për shkëmbimin e studentëve dhe stafit në kuadër të Programit ERASMUS+.

Projekti do të realizohet gjatë tri viteve të ardhshme duke filluar nga sivjet dhe parasheh shkëmbimin e studentëve dhe të stafit, ndërsa përfitues të tij do të jenë studentët e nivelit Master.

Dekani i fakultetit të Komunikimit Masiv, Resul Sinani shprehet i lumtur për këtë mundësi që i’u jepet studentëve të këtij fakulteti dhe më tej shpjegon se 12 studentë të nivelit Master të drejtimit Komunikim Masiv dhe Gazetari, respektivisht deri në 4 studentë për çdo vit, duke filluar nga kjo verë, pra nga gjenerata aktuale që është në përfundim të vitit të parë dhe dy gjeneratat e ardhshme, falë bashkëpunimit me NLA University College në Norvegji, do të mund të ndjekin nga një semestër në Departamentin e Gazetarisë, Mediave dhe Komunikimit.

“Ky lloj bashkëpunimi dhe kjo mundësi në kuadër të Projektit ERASMUS+ për studentët e Fakultetit të Komunikimit Masiv në AAB është për herë të parë dhe është një mundësi e artë e cila duhet të shfrytëzohet nga studentët tanë”, tha Sinani.

Studentët do të kenë mundësi të aplikojnë kur të shpallet konkursi nga universiteti norvegjez NLA University College.

NLA University College në Norvegji, është një nga institucionet universitare prestigjioze në Norvegji, ndërsa është themeluar në vitin 1968.

the authorBurbuqe Metolli