Aktuale

Tahiri: Kompania e re është e përkohshme dhe minore

Ministrja për dialog Edita Tahiri ka deklaruar se sipas Marrëveshjes për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, Kosova do ta merr kodin e vet telefonik 383 nga ana e organizatës së specializuar të OKB për telekomunikacion (ITU) me datën 15 dhjetor 2016.

“Kodi 383 është pronë e Kosovës dhe Kosova do ta menaxhoj vet në mënyrë të pavarur kodin e saj shtetëror, përmes autoritetit të vet rregullator (ARKEP). Menjëherë pas marrjes së kodit telefonik, Kosova dhe ITU do të vendosin bashkëpunim të drejtpërdrejtë zyrtar për të realizuar së bashku procedurat që lidhen me këtë proces” , ka deklaruar Tahiri.

Sipas komunikatës për media, Tahiri po ashtu ka thënë se Serbia ka obligim që ti dërgoj letër ITU me të cilin shpreh pajtimin dhe zotohet për që nuk ta pengoj që ITU t’ia jep kodit telefonik Kosovës. Kodi 383 e bënë Kosovën ndërkombëtarisht të njohur si shtet i pavarur në fushën e telekomunikacionit, ndërsa tre kodet ekzistuese shuhen.

Sipas Marrëveshjes, Kosova do ti jep një kompanie të re të regjistruar në Kosovë një licencë të përkohshme dhe të kufizuar në telefoninë mobile. Kjo kompani e re nuk do të jetë një operator i tretë mobil në Kosovë, sepse operatori i tretë mund të vjen në Kosovë vetëm përmes tenderimit ndërkombëtar.

Tahiri tha se kompania e re do jetë minore dhe do të ketë vetëm tre përqind të mbulueshmërisë në raport me dy operatorët e telefonisë mobile Vala dhe Ipko. Derisa Vala është prezentë në 490 lokacione dhe IPKO në 395 lokacione dhe mbulojnë gjithë territorin e Kosovës, kjo kompani e re (mtsdoo) do të jetë prezentë në 30 lokacione. Me fjalë tjera, Vala dhe IPKO kanë shtrirje të plotë në mbarë Kosovën sepse janë operator të plotë të telefonisë mobile, ndërsa kompania e re do të jetë prezentë vetëm në disa zona edhe atë në mënyrë të përkohshme dhe puna e sajë do të përfundoj në momentin kur në Kosovë do të vjen një operator i tretë nëpërmjet të procedurave të tenderimit ndërkombëtar, ashtu siç përcaktohet me ligjet e Kosovës.

“Po ashtu, është me rëndësi të dihet se sipas të dhënave të ARKEP, operatorët mobil Vala dhe IPKO kanë mbi 1 milion e tetëqëndëmijë (1800000) numra që janë në shfrytëzim nga konsumatorët ndërsa kompania e re do ti ketë vetëm gjashtëdhjetëmijë (60000) që mund tja ofroj konsumatorëve në Kosovë, theksoi Tahiri.

“Pra kemi të bëjmë me një kompani të përkohshme dhe krejtësisht minore që mund të shihet nga të dhënat zyrtare, dhe jo ashtu siç e propagandon pala serbe duke shtrembëruar marrëveshjen”, ka përfunduar Tahiri./KosovaPress/