Aktuale

Tahiri: Marrëveshja për IBM-in po e fuqizon sovranitetin e shtetit të Kosovës

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, dje është mbajtur takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit të IBM për ndërtimin e pikë-kalimeve të përhershme kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një njoftimi për media. qëllimi i këtij takimi ka qenë finalizimi dhe provimi i projekteve për pikë kalimet kufitare në Merdare, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat sipas Marrëveshjes së Brukselit për IBM dhe Protokollit Teknik, shteti i Kosovës është palë nikoqire. Ndërsa për tre pike kalimet tjera kufitare, pala Serbe është palë nikoqire e projekteve ndërtuese.

Ministrja Edita Tahiri ka folur për rëndësinë e ndërtimit të pike kalimeve të përhershme kufitare sipas modelit evropian të IBM duke vlerësuar se ky proces po zhvillohet sipas dinamikave të dakorduara në Bordin Drejtues të Projektit. Ajo më tej tha se zbatimi cilësor dhe efikas i kësaj marrëveshje është i një rëndësie të madhe shtetërore për Qeverinë dhe qytetarët e Kosovës. Tahiri ka falënderuar BE-në për mbështetjen financiare dhe UNOPS-in për profesionalizmin e tyre dhe ka deklaruar se ndërtimi i këtyre pikë kalimeve të përhershme të IBM-së, do të fuqizoj sovranitetin e shtetit të Kosovës, përmbushë standardet evropiane për menaxhimin e integruar të kufirit, do të lehtësojë kalimin e kufirit për qytetarët dhe bizneset si dhe do të luftohen dukuritë e ekonomisë joformale.

Sipas agjendës së takimit fillimisht UNOPS ka prezantuar planet finale të këtyre pikë kalimeve të cilat janë projektuar në pajtim me kërkesat funksionale të autoriteteve të Kosovës, respektivisht Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës(AVUK).

Pas një shqyrtimi të detajuar nga ana e anëtarëve të Bordit Drejtues është bërë aprovimi i projekteve finale. Me këtë, ministrja Edita Tahiri theksoi se vizita studimore në Kroaci në pikë kalimin e Bajakovo që funksionon sipas modelit të IBM, ka qenë e rëndësishme sepse përvojat e marra kanë ndihmuar në avancimin e zgjidhjeve teknike që përmbushin standardet e BE-së dhe i japin mundësi Kosovës që këto standarde t’i ketë të plotësuara me kohë në rrugën e integrimit Evropian. Në këtë takim është diskutuar për progresin në përmbylljen e procesit të shpronësimit të pronave ku pritet të ndërtohen këto pikë kalime kufitare.

Nga ana e tij Drejtori i Projektit nga UNOPS, Brendan Keirnan, duke e falënderuar ministren Edita Tahiri për bashkëpunimin tha se këto pikë kalime do të jenë ndër më modernet që janë ndërtuar ndonjëherë, ato do të përfshijnë ambiente shumë komode dhe profesionale për zyrtarët që do të punojnë aty.

Libor Chlad, zëvendës-shef për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë, tha se BE është e kënaqur me progresin për zbatimin e këtij projekti dhe premtoi angazhimin e BE-së në zbatimin e plotë të saj.

Në këtë takim morën pjesë anëtarët e Grupit shtetëror punues për marrëveshjen e IBM, Dren Zeka, këshilltar kryesor politik i ministres dhe koordinator i Grupit punues, Kamer Jonuzaj nga Policia e Kosovës, Bekim Mehmetaj nga Doganat e Kosovës, Arben Çitaku nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Valdet Gjinovci nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, Libor Chlad, zëvendës-shef për bashkëpunim në zyrën e BE-së në Kosovë, Merita Govori nga Zyra e BE-së në Kosovë, Brendan Keirnan, Drejtor i Projektit nga UNOPS dhe Dritëro Jashari nga UNOPS./KosovaPress/