Aktuale

Tahiri: Në raundin e tretë të bisedimeve diskutohet për të zhdukurit

Tash e 18 vjet më shumë se 1600 persona në Kosovë figurojnë të zhdukur. Qe 18 vjet qindra familje kosovare po jetojnë me plagë të hapura dhe me shpresën e shuar se tashmë institucionet kosovare do ta zgjidhin çështjen e familjarëve të tyre të zhdukur.

 

E kontaktuar nga gazeta “Zëri”, ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, ka thënë se në rundin e tretë të bisedimeve Kosovë – Serbi çështja e të pagjeturve do të jetë më e rëndësishmja që do të diskutohet.

“Kjo temë do të jetë tema kryesore në rundin e tretë të bisedimeve në kuadër të temave të reparacionit”, ka thënë Tahiri. Ajo ka shtuar se ende ka shumë mënyra se si mund të ndihmohet ky proces.

“Në mënyrë të veçantë, përmes hapjes së arkivave të ushtrisë dhe të policisë serbe, meqë tashmë edhe është konfirmuar se në këto arkiva ka të dhëna që do të mundë të ndihmonin në zgjidhjen, gjegjësisht ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave që vazhdojnë të jenë të evidentuar të zhdukur, si pasojë e luftës në Kosovë”, thuhet në përgjigjet e Tahirit.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, Prenk Gjetaj, nuk është shprehur i kënaqur me punën e ministres Tahiri deri më sot. Madje dyshon që kjo temë do të hapet në Bruksel edhe tani.