Aktuale

Takimi me Mogherinin, Rama: Pas 25 qershorit kërkojmë hapjen e negociatave

Kryeministri Edi Rama ka folur pas takimit të mbrëmjes së djeshme në Bruksel me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Mogherini, pas darkës me gjashtë kryeministrat e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Nuk kemi biseduar për çështje të brendshme thjesht unë i kam thënë shefes së diplomacisë evropian se pas 25 qershorit duhet të jetë e përgatitur ajo dhe KE që qeveria dhe opozita e dalë nga zgjedhjet do kërkojë me një zë hapjen e negociatave me BE”, është shprehur kreu i qeverisë.

Gjithashtu Kryeministri Rama ka shtuar se Shqipëria është e gatshme t’i bëjë të gjitha përpjekjet për t’u ulur nën tryezë e bisedimeve për negociata, për të cilat ka deklaruar se pengesë ka qenë Vettingu.

“Fillimi i zbatimit të tij që shpresoj mos të ndeshë me probleme të papritura do jetë për ne një arsye shumë e fortë që qeveria dhe opozita, apo shumica dhe pakica e dalë nga zgjedhjet të kërkojnë hapjen e negociatave dhe do e bëjmë këtë me forcë, në kuptimin e një zëri të unifikuar dhe pastaj nuk i kemi te gjitha në dore, se Evropa në këto momente është ajo që është dhe nuk është më e mira që do donim të ishte”, tha Rama.

Në darkën e Brukselit përveç kryeministrit shqiptar të pranishëm ishin edhe kryeministrat e Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.