Aktuale

Taksa për “Rrugën e Kombit”, Shqipëria nuk i përgjigjet Kosovës

Vendosja e taksës në “Rrugën e Kombit” në Shqipëri, pati ngjallë reagime të shumta në të dy anët e kufirit. Për banorët e veriut dhe kosovarët taksa prej 5 euro ishte cilësuar e lartë madje për çmimin e saj pati edhe protesta të cilat eskaluan.

Zyrtarë nga Ministria e Infrastrukturës kishin kërkuar takim me Qeverinë e Shqipërisë për të diskutuar për ndonjë zgjidhje që do të ishte e qëndrueshme për të gjithë qytetarët.

Megjithëse kanë kërkuar një gjë të tillë, kjo ministri nuk ka marr ndonjë konfirmim për takimin në fjalë.

Në një përgjigje për Indeksonline, ata thonë se megjithëse kanë kërkuar takim nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri për këtë temë, sot e asaj dite nuk kanë marrë ndonjë konfirmim.

“Që nga fillimi që është shfaqë kjo çështje, ne jemi marrë intensivisht me të dhe kemi shprehur mospajtimet tona, duke i kërkuar edhe takim ministrit Gjiknuri për temën në fjalë. Ne edhe sot e kësaj dite nuk kemi marrë ndonjë konfirmim për takimin në fjalë. Gjithsesi kemi shprehur gatishmërinë që të ulemi dhe të bisedojmë për ndonjë zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme për të gjithë qytetarët”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Më tej, kjo ministri ka deklaruar se do të insistojnë që ky çmim të ulet dhe të bëhet më i përshtatshëm për kushtet ekonomike të qytetarëve tanë.

“Presim dhe do të shohim në të ardhmen sesi do të zgjidhet kjo çështje që për ne përbën shqetësim, sepse kostoja fillestare e kësaj tarife është e lartë për qytetarët e Kosovës dhe për transportuesit e mallrave të Kosovës. Ne ashtu siç kemi kërkuar në vazhdimësi, do të insistojmë që ky çmim të ulet dhe të bëhet e adaptueshme me kushtet ekonomike të qytetarëve tanë”, kanë deklaruar më tutje.

Ndryshe, si shenj proteste për çmimet e tarifave të vendosura për “Rrugën e Kombit”, qytetarët e Shqipërisë ia kanë vënë flakën sporteleve ku edhe do duhej të bëheshin këto pagesa.

Për këtë, Qeveria e Shqipërisë ka shtyrë pagesën e tarifës për këtë autostradë për të paktën 2 muaj./Indeksonline/